VV organizon “Javën e Lëvizjes” për nderë të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit e 13-vjetorit të themelimit

Prishtinë | 09 Qer 2018 | 12:54 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje nga nesër do të organizojë  “Javën e Lëvizjes” për të shënuar 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 13-vjetorin e themelimit të LVV-së.

Deputeti Liburn Aliu dhe sekretarja organizative e LVV-së, Vlora Haxhimehmeti, kanë bërë të ditur  se në kuadër të kësaj jave do të organizohen aktivitete me tema të ndryshme.

“Gjatë kësaj jave do të organizojmë aktivitete ditore me dhe për qytetarët dhe për aktivistët. E kemi caktuar nga një temë për secilën ditë. Nesër është dita e Lidhjes, pas 140 vjetëve Lidhja Shqiptare e Prizrenit është gjallë dhe shërben si burim frymëzimi. E hëna është Dita e Anëtarësimit, do të përkujtojmë aktivistin shembullor, Arbnor Dehari”.

“E martë, 12 qershor, është Dita e Vetëvendosjes që do ta shënojmë në Prishtinë me temën: “13 vjet ballafaqim dhe organizim”. E mërkurë, 13 qershor, është Dita e Mërgatës, dita e atyre që edhe pse kanë jetuar jashtë trevave shqiptare, nuk kanë reshtur të çojnë përpara proceset më të rëndësishme të shqiptarisë. E enjta, 14 qershor, është Dita e Komunës, ajo që e përbën të përbashkëtën tonë. Prandaj, do të organizojmë aktivitete për të fuqizuar lidhjen e komunës me qytetarin. E premte, 15 qershor, është Dita e Solidaritetit në komunitet, që shënon edhe përfundimin e muajit të Ramazanit dhe festën e Bajramit, ku do të gjendemi pranë njerëzve më në nevojë. Të dielën e përmbyllim Javën e Lëvizjes me shënimin e ditëlindjes së Ukshin Hotit dhe të veprës së tij”.

Kjo javë do të mbyllet me një aktivitet socio-kulturor në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu, tha se misioni i Lidhjes së Prizrenit ende nuk është përmbushur pasi Kosova nuk ka ushtri për vetëmbrojtje dhe se nuk e ka diplomacinë për përfaqësimin e duhur në arenën ndërkombëtare.

“Misionin e shpallur prej Lidhjes së Prizrenit nuk e kemi përmbushur ende. Përballë interesave të njëjtë të fqinjve të cilët vazhdojnë të jenë në garë me njëri-tjetrin për forcimet dhe armatosjen e ushtarëve të tyre, ne nuk kemi organizimin e duhur ushtarak  për vetëmbrojtje, nuk e kemi as diplomacinë e duhur për shprehjen tonë të dinjitetshme dhe as institucionet për një shtet shqiptar mjaftueshëm të fortë, që të jepte garanci dhe mbrojtje edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë”.

Sipas Aliut për sa kohë që këto probleme do të jenë aktuale, Lidhja vazhdon që të jetë gjallë, jo vetëm në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por edhe si lëvizje në një shumësi formash, ballafaqimesh e organizimesh.

“Shqiptarët kërcënoheshin rajonalisht dhe botërisht si komb. Shqiptarët kuptuan se nuk do t’i mbronte askush nëse nuk mbrohen vet. Detyrat urgjente që shqiptarët i vunë vetes janë të vlefshme edhe sot si tipare të domosdoshme të shtetit. Organizimi ushtarak për vetëmbrojtje, përfaqësimi sa më i dinjitetshëm në politikën e jashtme, përkujdesja për popullsitë e shpërngulura dhe si e tillë, Lidhja e Prizrenit përbën themelin e Lëvizjes Shqiptare për shtet dhe komb”.

“Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 ishte shkallë një realizimit të lirisë, pasi Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan shfarosjet dhe spastrimet edhe më tej të krahinave tjera të banuara me shqiptarë. Por, kudo ku mbetën shqiptarët lëvizja e mbajti gjallë lidhjen. Një përmasë tjetër të realizimit të Lidhjes së Prizrenit e përmbushën familja Jashari dhe mijëra veprimtarë të organizuar në luftën çlirimtare.”.

Aliu bëri të ditur se nesër në ora 14:00 ne Shtëpinë e Kulturës në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje do të  organizojë tryezë diskutimi me temën “Situata gjeopolitike e shqiptarëve – siguria dhe mbrojtja”, ku pjesë e panelit do të jetë edhe kryetari Albin Kurti.

Deputeti Aliu nuk ka pranuar të flasë për akuzat e PDK-së për manipulime në Ndërmarrjen Publike Banesore dhe përgjimet e publikuara, ku protagonistë janë zyrtarë të LVV-së. Asamblistët e PDK-së, në një konferencë për medie gjatë ditës së sotme e akuzuan LVV-në për manipulime në anulimin e konkursin për dhënie me qira të lokaleve në lagjen “Pejton”.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/pdk-kerkon-hetime-per-anulimin-e-konkursit-per-dhenien-qira-te-lokaleve-ne-lagjen-pejton/

Të ngjashme