VV: Pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk ka liberalizim të vizave

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 13:04 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën për media të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje, anëtare dhe deputete të Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik, Fitore Pacolli dhe Albulena Haxhiu folën për luftimin e korrupsionit dhe kushtet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.

Pacolli tha se Qeveria po nxiton në miratimin e marrëveshjes me Malin e Zi, dhe se, sipas saj, duhet të rishikohet një herë e pastaj të merren vendime, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se qytetarët po mashtrohen nga Qeveria se liberalizimi vjen pas ratifikimit të demarkacionit por që raporti i BE-së tregon se kushti themelor për liberalizim nuk është plotësuar.

”Qeveria po nxiton që të shtyjë përpara demarkacionin me Malin e Zi dhe ta sjellë në Kuvend së shpejti. Ndonëse e ka të qartë dëmin që ka për Kosovën, ka filluar të bëjë presion mbi deputetët e Kosovës dhe qytetarëve iu bën shantazh se nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje, atëherë Kosova do të humbë shansin historik të liberalizimit. Ne e dimë që kusht për liberalizimin e vizave nuk është vetëm çështja e demarkacionit, por është kushti për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Pacolli.

Ajo tha se raporti i fundit i BE-së, e që sipas saj po fshihet nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Integrimit Evropian, përmban të gjetura që Kosova nuk ka shënuar progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas saj, pa u luftuar krimi i organizuar dhe korrupsioni, qytetarët nuk mund të lëvizin lirshëm.

“Qeveria dhe MIE po pohojnë se ky kusht është përmbushur, këtë gjë nuk po e thonë ekspertët e BE-së. Ky raport nuk i është prezantuar as mediave e as qytetarëve. Arsyeja pse ky raport po mbahet fshehtas larg vëmendjes së publikut për shkak të gjeturave që ka ky raport, sistemi i drejtësisë që dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar“, ka shtuar ajo.

“Konfiskimi i pasurisë së paligjshme që përfshihet në raport, nuk është objektivë qendrore e sistemit të drejtësisë së Kosovës, është jo adekuat dhe Kosova duhet të lëvizë tutje për miratimin e një ligji adekuat për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Ky raport nuk lë hapësirë për t’i besuar qeverisë se liberalizimi ndodh menjëherë pas miratimit të marrëveshjes. Gjasat për të ndodhë liberalizmi këtë vit janë 0, t’i rishikojmë gabimet dhe të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin.“

Ndërsa për presionin që po iu shkaktohet deputetëve për ratifikimin e demarkacionit, sipas Pacollit, kjo po bëhet përmes mediave.

“Ndoshta ka presion deputet-deputet dhe jo personalisht me mua, presioni është përmes mediave dhe shpërndarjes së informatave të pavërteta , se po s’e voton një deputet do sigurojë liberalizimin e vizave, duke u munduar të shpallin një deputet hero kinse po shpëton qytetarët nga izolimi”.

Ndërsa Albulena Haxhiu, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje i bëri thirrje qeverisë për tërheqjen e marrëveshjes për ratifikimin e demarkacionit, sepse, sipas saj, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka dërguar letër Haradinajt duke i kërkuar bashkëpunim për korrigjimin e marrëveshjes ende pa u ratifikuar.

“Për marrëveshjen e demarkacionit nuk kemi nevojë të ngutemi dhe kryetari i ka shkruar kryeministrit Haradinaj ku ka ofruar gatishmërinë për bashkëpunim per ta zgjidhur çështjen. Nuk mund të ketë ratifikim pa u korrigjuar atë që ka shkaktuar marrëveshja Thaçi. Ai asnjëherë nuk e ka diskutuar këtë raport që dëshmon se Kosova ka humbur territor, është dëmtuar territori i Kosovës, kemi kërkuar debat parlamentar dhe qëllimisht ende nuk është mbajtur. I bëjmë thirrje qeverisë të heqin dorë nga ratifikimi i demarkacionit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se qeveria Thaçi 1 dhe 2, Qeveria Mustafa dhe kjo aktuale , kanë thënë se janë zero tolerant ndaj korrupsionit, në ndërkohë që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër.

“Të korruptuarit po mbeten të paprekshëm”, tha ajo dhe ka shtuar se sistemi drejtësisë ka dështuar të luftoj krimin e organizuar.

Të ngjashme