VV procedon nismën për dënimin në mungesë të serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 14:44 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nismën legjislative për dënimin në mungesë të, siç u quajtën, kriminelëve serbë të Serbisë për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Kosovë.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për medie nga deputetet e VV-së, Albulena Haxhiu dhe Saranda Bogujevci.

Haxhiu tha se 19 vite pas luftës, personat përgjegjës nga regjimi serb i Millosheviçit për krimet e luftës në Kosovë ende nuk kanë dalë para drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se përkundër që institucionet e Kosovës kanë informacionet e sakta për kryerësit e krimeve, nuk kanë ndërmarrë asgjë. Sipas saj, kjo është penguar edhe nga ndërkombëtarët.

Haxhiu shtoi se kjo nismë parashihet edhe nga pika e 11-të e rezolutës së Kuvendit, e dalë nga debati për të pagjeturit dhe, sipas saj, kjo është forma e vetme aktualisht për ta adresuar këtë çështje.

“Së fundmi u zhvillua debati për të pagjeturit, një nga kërkesat ishte hartimi i Projektligjit për gjykimin në mungesë. Ne e kemi hartuar këtë projektligj. Misionet e huaja në Kosovë, UNMIK-u dhe EULEX-i patën edhe emrat e kriminelëve por asnjëherë s’vepruan. Në të njëjtën vijë qëndruan edhe institucionet”.

“Pritëm që shteti do të padiste për gjenocid Serbinë, por kjo nuk ndodhi. Andaj proceduam nismën legjislative për dënimin në mungesë të kriminelëve serbë. Përmbajtja e nismës respekton standardet për gjykim të drejtë. Në 19-vjetorin e çlirimit po e bëjmë detyrën tonë, kriminelët duhet të dënohen, s’kemi pse të presim”.

Deputetja Saranda Bogujevci, tha se ky ligj është tejet i rëndësishëm për familjarët, sepse u jep atyre një lloj drejtësie, e cila, sipas saj, deri më tani ka munguar, raporton EO.

“Ligji për gjykim në mungesë është tejet me rëndësi, sepse ka kalu kohë e gjatë dhe familjet s’kanë gjetur, ky ligj do t’u jap një formë të drejtësisë. Në bazë të përvojës sime dhe studimeve është dëshmuar që proceset gjyqësore dhe nxerrja e një vendimi është tepër me rëndësi për familjarët. Ky ligj është tejet i rëndësishëm që të bëhet edhe dokumenimi i krimeve dhe t’u jepet një formë e drejtësisë familjarëve”.

Sipas Bogujevcit, nuk ka pasur dënime të mjaftueshme karshi krimeve që janë kryer gjatë luftës. Ajo tha se familjarët janë ndier të fyer me formën e gjykimeve të zhvilluara.

“Familjarët kanë qenë të dëshpëruar, të fyer dhe të dëmtuar me formën siç kanë shkuar gjykimet. Me rastin tonë ku i dënuari me 20 vite është liruar para se ta përfundojë dënimin ka qenë e vështirë, por ngjarja që ka ndodhur në familje është dokumentuar dhe njihet si krim që ka ndodhur”.

Të ngjashme