VV: Rezoluta do ta legjitimonte aventurën personale të Thaçit

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për harmonizimin e rezolutës së propozuar nga koalicioni qeverisës për dialogun Kosovë – Serbi.

Zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Tinka Kurti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk do të marrin pjesë në takime të tilla pasi rezoluta e tillë veç do ta legjitimonte aventurën personale të Hashim Thaçit.

Sipas saj, takimet e tilla të nevojshme vetëm për Thaçin, janë të padobishme për Kosovën.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë rezolutë e cila veç do ta legjitimonte aventurën personale të Hashim Thaçit. Atij i duhet një dokument i Kuvendit që të ngarend te Vuçiqi. Prandaj, takimet e tilla të nevojshme vetëm për Thaçin, janë të padobishme për Kosovën”, ka shtuar Kurti.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate për media ka sqaruar se disa herë i ka bërë të qarta para opinionit dhe anëtarësisë së saj qëndrimet për dialogun me Serbinë.

Siç thuhet LDK është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve.

“Këto qëndrime duhet të jenë të qarta edhe për kryetarin e Kuvendit. Si parti politike, më e madhe në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë, kurse në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar. LDK-ja është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Partia Socialdemokratike (PSD), nuk është përgjigjur për një gjë të tillë. Takimi pritet të mbahet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme