VV shpalos “Alternativën Qeverisëse” për Gjilanin

Gjilan | 23 Sht 2017 | 18:39 | Nga

Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 Tetorit, në kryeqendrën e Anamoravës, Gjilanin, Lëvizja VV ka prezantuar kandidatët për Kuvend Komunal, si dhe ka shpalosur “Alternativën Qeverisëse për Gjilanin”.

Deputeti Albin Kurti, ishte ndër përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!! që iu drejtua gjilanasve. Para tyre, ai tha se Gjilani është djep i veprimtarëve të ndryshëm kombëtar dhe për këtë meriton një kryetar atdhetar si Sami Kurteshi.

Duke i potencuar vlerat e kandidatit të tyre, Kurti nuk la pa e thumbuar edhe u qeverisjen aktuale të Gjilanit, qeverisje kjo që e ka trashur pushtetin dhe ka rrudhur komunën.

“Në Gjilan është trashur pushteti dhe është rrudhur komuna. Në Gjilan kemi decentralizim të territorit mbi baza etnike dhe centralizim të parasë mbi baza klanore. Me fitoren e VETËVENDOSJE!-s, Gjilani do të ketë decentralizim mbi baza qytetare dhe subvencionim mbi baza prodhuese. Sami quhet ndryshimi, Sami quhet zhvillimi, Sami quhet përparimi, Sami quhet bashkimi”, tha ndër të tjera Kurti në Gjilan

Sami Kurteshi shpalos prioritet e tij për Gjilanin, shprehet i bindur për fitore

Kandidati për kryetar komune, Sami Kurteshi, tha se ndihet i nderuar për detyrën sfiduese që ka marrë për të ia kthyer Gjilanit dinjitetin.

Ai e ka filluar fjalën e tij me një shembull nga historia, për të treguar rëndësinë e angazhimit shoqëroro-politik për liri, barazi dhe demokraci, duke shtuat se pushteti e ka kuptuar se ndryshimi po vjen, gjë që po e frikëson.

“Njerëzit nuk presin nga qeverisja jonë që të zgjidhë të gjitha problemet e krijuara me dekada, sidomos këto të shtresuara tani e 17 vite nga dy partitë, dhe pushtetarë të padijshëm, zhvatës e mashtrues ordinerë, që jo vetëm e kanë sakatosur e ngulfatur Anamoravën me decentralizimin enklavizues dhe ndarës, por edhe kanë keqqeverisur me Kosovën, me një të ngritur dore, dhe me ulje të vazhdueshme koke”, tha Kurteshi në tubimin në Gjilan.

“Ne jemi më të mirët, ne jemi të parët në listën zgjedhore, ne jemi 10-shja e ndritshme e Gjilanit, forca që kthen dinjitetin dhe krenarinë, që kthen dritën në Gjilan. Këtë do ta garantojmë ne së bashku”, shtoi ai, duke përmendur kandidatët nga VV që synojnë mandatet në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Kurteshi u zotua se me qeverisjen e tij do të kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur i qytetarit nga keqqeverisja shumëvjeçare, përmes fuqizimit të rolit të tij në vendimmarrjen publike. Ai premtoi dyfishimin e numrit të çerdheve dhe institucioneve parashkollore, shujta falas për nxënëset/it e klasave të ulëta nga I-V, shërbime të rregullta mjekësore dhe stomatologjike në shkolla, me qëllime parandaluese dhe ndërgjegjësimi të fëmijëve, kabinete e laboratorë shkollorë, do të pajisim shkollat me biblioteka e kënde leximi, e do të përkrahim mësimdhënësit për ngritje të vazhdueshme profesionale, si dhe investime në shëndetësi, bujqësi e kulturë. Ai ka shpalosur edhe prioritete të tjera, siç janë transparenca e llogaridhënia, angazhimi për administratë efikase dhe për barazi në punësim,

“Nga ne, vërtetë pritet të qeverisim me Gjilanin, por secili prej jush pajtohet që sytë tanë duhet të mbajnë në horizont shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre e që kanë bërë vend këtu në komunën tonë”, tha Kurteshi në fund, duke iu kërkuar gjilanasve ta votojnë numrin 10 në zgjedhjet e 22 Tetorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme