Ymeri akuzon Veselin se bëri shkelje sot në Kuvend

Prishtinë | 19 Kor 2018 | 17:45 | Nga

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, thotë se Kadri Veseli sot bëri shkelje, duke mos e vendosur mocionin për dialog në votim, fillimisht dhe së dyti duke kërkuar marrëveshje mes grupeve parlamentare për çështjen.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se edhe pas dakordimit tonë, që kjo çështje të hedhet në votim në seancën e re, ai këtë nuk e bëri. Ai i bëri sërish dy shkelje, nuk lejoi fjalën e propozuesit dhe as as nuk i lejoi deputetët të vendosin për mocionin.

Sipas Ymerit, sot qartazi kishte interesim nga deputetët që të debatojmë për dialogun në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Kështu edhe u dakorduam me të gjitha grupet parlamentare në fillim të seancës. Sidoqoftë Grupi parlamentar i PDK-së ndërruan mendje dhe kryetari i Kuvendit përkundër marrëveshjes në mes të grupeve parlamentare nuk e hodhi fare në votim mocionin. Kjo është shkelje procedurale”.

“Për më tepër se kaq, ky dialog dhe mësyerja e pakuptimtë për vazhdimin e tij pa legjitimitet demokratik nga Kuvendi e pa platformë e strategji, e rrezikon seriozisht Republikën tonë”.

“Deri tash ky dialog, prej se ka filluar në vitin 2012 na e ka ndryshuar emrin politik nga Republika në fusnotë, na e ka fuqizuar e zyrtarizuar praninë politike të Serbisë në Kuvend e Qeveri përmes listës serbe, dhe së fundi rrezikoi të na e kthej me kokë te poshtë rendin kushtetues përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për ta formalizuar ndarjen, e thelluar identifikimin etnik politikë në dëm të barazisë e drejtësisë qytetare, në dëm të integrimit të njerëzve e territorit, në dëm të përbashkimit e funksionalizimit të resurseve e tregut”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të debatojmë në Kuvend për dialogun. Është tejet e rëndësishme që ky vazhdim i dialogut pa diskutim, pa legjitimitet, pa përfaqësim serioz e pa mbikëqyrje të ndalet. Është jetike për Kosovën që vendimmarrja të kthehet në Kuvend”, ka shkruar ai.

Sipas tij, qëndrimi i GP të PDK-së, se meqenëse një pjesë e opozitës po e bojkoton votimin në Kuvend, as PDK nuk do të votojnë nismat e opozitës është i pakuptimtë.

“Koalicioni qeverisës ka përgjegjësi karshi shtetit, e veçanërisht karshi dialogut të cilin po e vazhdojnë. Këtë përgjegjësi ata duhet ta bartin veçanërisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku i japin llogari deputetëve”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme