Ymeri: Fletarresti ndaj Kurtit joligjor, të anulohet menjëherë

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 13:42 | Nga

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke komentuar urdhërarrestin e lëshuar ndaj Albin Kurtit, ka thënë se ky fletarrest i pabazë e jo ligjor duhet të anulohet menjëherë.

Ai ka thënë se në vendin ku sundon krimi e padrejtësia, lëshohet urdhër-arresti për aktivistin që proteston për drejtësi, barazi e demokraci.

Ymeri në Facebook ka shkruar se varësia e gjyqësorit të Kosovës nga pushteti politik po na shndërron në vend qesharak.

Postimi i plotë i tij:

Në vendin ku sundon krimi e padrejtësia, lëshohet urdhër-arresti për aktivistin që proteston për drejtësi, barazi e demokraci.

Varësia e gjyqësorit të Kosovës nga pushteti politik po na shndërron në vend qesharak. Po bëhemi gazi i botës.

Edhe pse aferat korruptive mes politikanëve, biznesmenëve e kriminelëve kanë dalë sheshit, me publikimin e dosjes “Pronto”, në vend se të lëshohet urdhër-arresti për ta, lëshohet për ata që i denoncojnë këto afera korruptive e që proteston kundër tyre. Në këtë rast për Albin Kurtin.

Edhe pse shkencëtarët kanë ngritur me argumenta e studime çështjen se Kosovës po i vidhet territori përmes një marrëveshje të padrejtë të nënshkruar nga pushtetarët, në vend se të hetohen ata që ia cënojnë integritetin Kosovës, kërkohet arrestimi i Albin Kurtit që ka protestuar për të kërkuar një demarkacion më të drejtë.

Edhe pse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se pushtetarët kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe duke e thyer e duke e shkelur Kushtetutën, në vend se të arrestohen ata që e shkelin themelin ligjor, kërkohet arrestimi i atyre që protestuan dhe e parandaluan këtë shkelje.

Kosova e tenderëve të vjedhur, e korporatave miliardere, e lluksit të oligarkëve, e nepotizmit, e shkatërrimit të shkollave e spitaleve, e varfërisë ekstreme dhe e papunësisë, nuk e ka asnjë të arrestuar përgjegjës për këto, edhe pse provat e dokumentat janë tashmë sheshit, sepse askush prej tyre nuk fshihet më ngaqë gjyqësorin dhe policinë e kanë nën kontroll.

Kosova e protestës kundër këtyre fenomeneve tashmë i numëron dhjetëra muaj burg për qindra aktivistë, e sot po kërkojnë ta arrestojnë dhe Albin Kurtin.

Ky fletë – arrest është i pabazë e jo ligjor. Duhet të anulohet menjëherë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme