Ymeri: Pushteti do të bëhet edhe më i keq

Prishtinë | 17 Kor 2016 | 14:34 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se koalicioni PDK-LDK e ka uzurpuar pushtetin dhe se vazhdimisht do të bëhet edhe më i keq.

Andaj, ai ka kërkuar fuqizimin e Lëvizjes Vetëvendosje – për ta kundërshtuar këtë pushtet, që sipas tij, po e shkatërron dhe idenë e Republikës.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Ymeri ftoi anëtarësinë të mobilizohet që ta kundërshtojnë këtë të keqe.

Ymeri, mes tjerash, tha se ky këshill e ka një rëndësi të jashtëzakonshëm në procesin e vendimmarrjes në LVV.

“Sot është ditë e veçantë për VV-në sepse përmbyllet procesi i zgjedhjeve të brendshme, i cili ka qenë i rëndësishëm sepse e freskon lëvizjen”, tha Ymeri.

“Ky pushtet nuk do të bëhet më i mirë, ky pushtet qendror vazhdimisht do të bëhet më i keq, dhe si të tillë ne duhet edhe ta projektojmë por njëkohësisht të jemi të gatshëm ta kundërshtojmë dhe t’i rezistojmë secilës keqe që përgatitet nga pushtet”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se Kosova është në një gjendje të keqe për shkak të një pushteti që ka uzurpuar gjithçka.

“Ky pushtet nuk duhet të lejohet që në punën e tij ta shkatërrojë vetë idenë e Republikës, siç vazhdimisht e shohim që ka tendencë, dhe ta humbë çfarëdo perspektive që ka qytetari i Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri para të pranishmëve.

Në këtë tubim merrnin pjesë dhe ish-lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti; deputetët Glauk Konjufca, Donika Kada-Bujupi e përfaqësues të tjerë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fjalën e tij tha se Prishtina është qendra e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky i cili po rritet sepse njerëzit po kuptojnë se rezistenca ndaj pushtetit dhe ndryshimi po vjen vetëm përmes Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas meje, duhet t’i ketë katër funksione. E para që duhet të jetë veshi i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kur them kështu është se tashmë jemi në secilën lagje në komunën e Prishtinës, kjo do të thotë se ju takoheni me qytetarë dhe shumë më shumë se ne i dëgjoni hallet e tyre. E dyta është që të jeni gjuha e Lëvizjes Vetëvendosje. E treta, ndoshta edhe më e rëndësishmja për atë se si e kemi formuluar punën deri më tani, është që ta marrim në kontroll ekzekutivin, kjo është tejet e rëndësishme. Demokracia bazohet në bilancin e fuqive. E katërta, ne jemi 15 persona politikë në Komunën e Prishtinës dhe patjetër se 170 persona të Këshillit janë më shumë se këta 15 persona që i kemi në Komunë”, ka thënë Ahmeti.

Të ngjashme