Ymeri: Të rinegociohet Demarkacioni me Malin e Zi

Prishtinë | 07 Nën 2017 | 17:29 | Nga

“Mali i Zi nuk mund ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit”, thotë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ymeri thekson se Demarkacioni është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në të cilin duhet të ketë shumë kujdes, në mënyrë që vija kufitare të caktohet, duke mos dëmtuar asnjërën palë. Kurse për dialogun Kosovë- Serbi Ymeri thotë se ky dialog ka prodhuar jashtëzakonisht shumë të këqija dhe rreziqe për Republikën e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, si e shini ju përmbylljen e procesit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nisur nga puna e Komisionit të ri shtetëror, i cili po përpiqet të sjellë fakte të reja rreth marrëveshjes së vitit 2015?

Visar Ymeri: Është shumë e qartë që kjo marrëveshje për demarkimin e vijës kufitare, që është nënshkruar në vitin 2015 ka qenë e dëmshme për Republikën e Kosovës edhe në njërën anë është tejkalim i mandatit që atëbotë ishte themeluar nga Qeveria, që ka pasur mandat për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit. Ndërkohë që në marrëveshje, ata kanë bërë një caktim të një kufiri të ri, e deri tek arroganca, shtyrja e kësaj marrëveshjeje nga Qeveria e kaluar dhe veçanërisht nga në atëbotë, ministri i Jashtëm, e tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, duke cenuar kështu edhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe duke e dëmtuar rëndë edhe mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë e vendit përmes kësaj marrëveshjeje.

Natyrisht që kjo marrëveshje duhet që domosdo që në dritën e fakteve të reja, dhe në dritën e atyre fakteve që deri më tani janë prezantuar nga ekspertët e Republikës së Kosovës, por jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe ekspertë nga Republika e Shqipërisë, që të rinegociohet me Malin e Zi, në mënyrë që kufiri të vendoset aty ku do të duhej të ishte, dhe që të mos cenohet integriteti territorial as i Republikës së Kosovës dhe as i Malit të Zi.

Radio Evropa e Lirë: Mali i Zi ka thënë se kjo çështje është e mbyllur, meqë ka ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvend. Si mund të ri-negociohet?

Visar Ymeri: Mali i Zi nuk mund ta zbatojë marrëveshjen njëanshëm. Kjo është edhe një çështje që në marrëdhënie mes dy shteteve, sipas parimit të fqinjësisë së mirë duhet të ketë edhe reciprocitet, mirëkuptim e respekt për integritetin territorial të secilit vend. Në këtë drejtim, konsideroj se marrëveshja bëhet e pazbatueshme nëse nuk janë dakord dy palët. Republika e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës ,në dritën e fakteve të reja që do të paraqiten edhe nga Komisioni i themeluar së voni, do të duhej që të mos e vononin këtë marrëveshje dhe ta hedhin poshtë. Mendoj se themelimi ose ri-themelimi i një komisioni, me të njëjtën detyrë, por me një përbërje tjetër dhe i themeluar nga një Qeveri tjetër, do të duhej të nënkuptonte automatikisht edhe hedhjen poshtë të marrëveshjes sepse nuk ka kuptim që Komisioni i kaluar të shkarkohet, ndërkohë që rezultati i punës së tyre të pranohet.

Në këtë drejtim, konsideroj që edhe pse Mali i Zi e konsideron si të mbyllur këtë çështje, çështja nuk është e mbyllur nëse Kosova nuk e ka mbyllur sepse tek e fundit është marrëveshje mes dy shteteve dhe për këtë duhet të dakordohen të dy shtetet.

Radio Evropa e Lirë: Nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga Tirana zyrtare janë dhënë mesazhe të qarta për ratifikimin e Marrëveshjes aktuale të demarkacionit, në mënyrë që Kosova të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave. Si mund të dilet nga situata aktuale, kushtimisht thënë bllokuese?

Visar Ymeri: Së pari do të them që procesi i shënjimit të vijës kufitare, të caktimit të një vije të kufirit ndërkombëtar, në këtë rast në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, nuk do të duhej të ishte një çështje që këmbehet me ndonjë proces tjetër, e as që ka ndërlidhje me ndonjë proces tjetër. Ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në të cilin ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që kjo vijë kufitare të caktohet, duke mos dëmtuar asnjërën palë. Në këtë drejtim, konsideroj se kjo ndërlidhje të kësaj marrëveshje, pra ratifikimit të kësaj me procesin e liberalizimit të vizave, ka qenë e padrejtë dhe është një padrejtësi në të cilën ne duhet të punojmë që ta shmangim. Pra, duhet domosdoshmërish që të insistohet tek institucionet e Bashkimit Evropian, por edhe te vendet anëtare, në mënyrë që të shpjegohet që në njërën anë procesi i shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi do të bëhet në mënyrë paqësore. Pra, nuk është se kemi as interes, e as qëllim që t’i dëmtojmë marrëdhëniet me Malin e Zi.

Marrëdhëniet me Malin e Zi, si Republikë e Kosovës i kemi shumë të mira dhe do të vazhdojmë me të njëjtën. Mirëpo, e kemi një pjesë të kufirit, për të cilin aktualisht kemi mospajtim dhe të cilin do ta zgjidhim në mënyrë paqësore. Ndërkohë, që në anën tjetër, marrëdhëniet tona me institucionet e Bashkimit Evropian dhe e drejta për të lëvizur lirshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, duhet të jepet në bazë të kritereve të përdorura edhe në vendet tjetra.

Pra, ky standard i dyfishtë që është përdorur në këtë rast karshi Kosovës, është edhe i padrejtë dhe i papranueshëm dhe në anën tjetër po e vendos Kosovën në situatë jashtëzakonisht të vështirë.

HETIM PARLAMENTAR RRETH DIALOGUT ME SERBINË

Radio Evropa Lirë: Ndërkohë, zoti Ymeri, ka shumë paralajmërime se edhe formati i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel, mund të pësojë ndryshime. A sheh Vetëvendosje ndonjë mundësi apo formë që të përfshihet në këtë proces, marrë parasysh thirrjen publike të Presidentit të Kosovës për një ekip gjithëpërfshirëse?

Visar Ymeri: Së pari, në asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë që është shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, dhe ajo është që ta kemi një diskutim institucional, shoqëror, në Kuvend, me shoqërinë civile, me ekspertët e vendit, me Akademinë e Shkencave dhe Arteve, me intelektualët e vendit, në mënyrë që të vlerësohet dialogu i deritashëm. Pra, si është zhvilluar? Çfarë na ka sjellë dhe ku është Kosova pas këtij dialogu si shtet i pavarur dhe sovran? Ne nga Lëvizja Vetëvendosje mendojmë se ky dialog ka prodhuar jashtëzakonisht shumë të këqija dhe rreziqe për Republikën e Kosovës, e që në fund kulmuan me marrëveshjen për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, që praktikisht ishte një Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës.

Së dyti, duhet të bëhet një hetim parlamentar sesi është zhvilluar ky dialog në Bruksel gjatë këtyre viteve. Ju e dini që dialogu ka filluar në vitin 2011 dhe ka vazhduar intensivisht deri në vitin 2013 dhe pastaj me një intensitet pak më të ulur deri në vitin 2015 dhe institucionet e Republikës së Kosovës, deputetët e Kuvendit të Republikës, e aq më pak qytetarët e Republikës, nuk janë të njoftuar fare me atë se si është zhvilluar ky dialog, cilat kanë qenë pozicionet e Republikës së Kosovës karshi këtij dialogu dhe si erdhën deri te këto marrëveshje, të cilat qartazi po shihen se janë të dëmshme, po e përsëris prap me marrëveshjen e fundit për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, e cila praktikisht rrezikoi ta përmbysë rendin kushtetues të Republikës. Dhe në këtë drejtim, konsideroj që pa u bërë këto dy gjëra, nuk mund të flasim fare për çfarë dialogu dhe kur duhet të zhvillohet me Serbinë.

Në anën tjetër, Republika e Kosovës ka nevojë shumë të madhe për një dialog me dinamik e demokratik për zhvillim të brendshëm dhe në këtë drejtim konsideroj që duhet domosdoshmërish që institucionet qendrore të zhvillojnë dialog me qytetarët e vendit, dhe këtu veçanërisht me pakicat kombëtare që jetojnë në Kosovë, e mbase veçanërisht edhe me pakicën serbe që jeton në Kosovë, në mënyrë që të flasim për domosdonë e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mekanizmave për mirëqenie, ekonomike, sociale e barazi edhe sociale edhe para ligjit për qytetarët e Republikës. Mendojmë që kjo do të ishte rruga e integrimit të të gjithëve në shoqërinë kosovare, në mënyrë që ta kemi një shoqëri e cila edhe është dinamike, në anën tjetër është një bazament i qëndrueshëm për zhvillim të qëndrueshëm e mirëqenie në rritje për qytetarët.

Çfarëdo dialogu me Serbinë, deri tash është dëshmuar që më shumë e cenon Republikën e Kosovës dhe e dëmton funksionalizmin e saj, se sa që krijon ndonjë mjedis për integrim dhe jetë të përbashkët. Ndërkohë që Republika e Kosovës ka nevojë që qytetarët e saj të jetojnë bashkë, që qytetarët e saj të jenë të barabartë, dhe që qytetarët e saj të kenë vende pune, e që përmes këtyre vendeve pune të kenë mirëqenie edhe një pasuri të përgjithshme e cila ndahet në mënyrë të barabartë. Ne jemi absolutisht kundër kësaj mënyre të dialogimit me Serbinë, e veçanërisht jemi kundër edhe për shkak të mungesës së parimësisë në të edhe për shkak të temave të cilat diskutohen të cilat janë asimetrike.

Radio Evropa e Lirë: Kur flitet për raportet Kosovë – Serbi, aktualisht në Beograd Qeveria e atjeshme ka iniciuar një dialog të brendshëm rreth Kosovës. Sa shihni ju mundësi që Beogradi të ndryshojë pozicionin karshi shtetit të Kosovës?

Visar Ymeri: Po këtë duhet ta shohim, natyrisht që ky dialog tashmë ka nisur në Serbi dhe në këtë drejtim ende e kemi të paqartë se kah do të shkojë ky dialog dhe cilat janë interesimet ose interesat e palëve atje që cilat po zhvillojnë atë. Unë konsideroj që njohja e Republikës së Kosovës nga njohja e Republikës së Serbisë është edhe minimumi i domosdoshëm, por edhe njëkohësisht edhe çështje e cila nuk duhet të vonohet, sepse vetëm kështu krijohen kushte të mira mes dy vendeve. Pra parimi i fqinjësisë së mirë, i cili do të duhet të ishte parim i marrëdhënieve mes shteteve në rajonin ku gjendemi ne, pra në Ballkan, është i mundshëm vetëm pas njohjes reciproke. Pa njohje reciproke nuk ka fqinjësi, e rrjedhimisht nuk mund të ketë as fqinjësi të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund t’i kthehemi edhe punës së Kuvendit. A prisni që gjatë këtij mandati, Kuvendi do të mund të tejkalojë një bllokadë të vazhdueshme të vendimmarrjes, kur vijnë në shprehje çështje që kërkojnë një shumicë prej dy të tretave të votave?

Visar Ymeri: Mendoj e se varet se edhe për cilat çështje po flasim. Ne e patëm një situatë, ku u arritën 2/3 e votave kur votuam për marrëveshjet për fondet IPA që Kosova i merr nga Bashkimi Evropian. Pra nuk është se Kuvendi ka qenë i bllokuar vazhdimisht dhe për secilën temë. Kuvendi ka qenë i bllokuar atëherë kur ne ishim ngritur në protestë për ta mbrojtur Republikën, gjë që u dëshmua pastaj edhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues, e që besa që po dëshmohet për ditë me fate të reja karshi Marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Pra, në këtë drejtim konsideroj që varësisht se cilat çështje do t’i diskutojmë ashtu edhe Kuvendi do të jetë funksional.

Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që në Republikën e Kosovës në diskutimin edhe institucional edhe shoqëror të fokusohemi në dy çështje që janë edhe prioritet dhe shumë të ngutshme për Republikën e Kosovë, e ajo është së para të diskutojmë për atë ekonomi të zhvilluar që krijon vende pune për qytetarët e vendit, dhe në anën tjetër, të diskutojmë për atë gjyqësor të pavarur dhe autonom i cili krijon drejtësi të barabartë për qytetarët e vendit. Pra, këto dyja i kemi mungesë dhe pa këto dyja, si shtylla kryesore të shtetit nuk mund të ndërtojmë shtet. Në ndërkohë, që çështjet tjera që po na vinë vazhdimisht si prioritet nuk janë prioritet tona, janë prioritet të tjetër kujt, tema këto prej të cilave qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë parë asnjë përfitim.

ME LDK-në BASHKËPUNIM PËR DISA ÇËSHTJE

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni në gjendje, si Vetëvendosje të bashkëpunoni dhe bashkëveproni me partinë tjetër opozitare, LDK-në?

Visar Ymeri: Po edhe në këtë pikë mendoj se përgjigja është e ngjashme varet edhe për çka dhe çfarë bashkëpunimi. Natyrisht, që ne e kemi shprehur në vazhdimësi një interesim për bashkëpunim kur jemi pajtuar me subjektet të ndryshme politike.

Ju e dini që në vitin 2014 kemi pasur një marrëveshje të përbashkët për krijimin e Qeverisë e cila bazohej në parimet udhërrëfyese të një Qeverie të re që do ta sillte ndryshimin me LDK-në AAK-në dhe Nismën.

Atëbotë, LDK-ja, ndërroi mendje dhe tradhtoi atë marrëveshje për të shkuar në marrëveshje koalicioni apo bashkëqeverisje me PDK-në me kryetar Hashim Thaçi në atë kohë.

Pastaj kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me AAK-në dhe Nismën për Kosovë, si parti opozitare, në kohën kur protestonim kundër bashkësisë së komunave dhe në anën tjetër, kundër kësaj marrëveshje për Demarkacion. Konsideroj se Lëvizja Vetëvendosje, ka dëshmuar që nuk është problemi i mos bashkëpunimit. Në fakt problemi janë të tjerët, sepse të tjerët me kalimin e kohës po e ndërrojnë mendjen për bashkëpunimin me ne. Pra, po lëvizin nga një bashkëpunim parimor dhe për të mirën e Republikës në një bashkëqeverisje joparimore dhe për të mirën e tyre.

Kjo ka ndodhur së pari me LDK-në, tash ndodhi edhe me AAK-në dhe Nismën. Ne natyrisht që jemi të hapur që për çështjet të cilat pajtohemi e të cilat janë në interes të Republikë së Kosovës të bashkëpunojmë në këtë rast edhe me partinë opozitar që është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme