Ymeri: Do të takohem me Haradinajn vetëm nëse del nga PAN-i

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 15:32 | Nga

Kryetari i Vetëvendosjes, Visa Ymeri i është përgjigjur ftesës së kandidatit për kryeministër nga radhët e koalicionit PDK-AAK-NISMA.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ymeri ka treguar rreth kësaj ftese duke theksuar se nuk është e qartë arsyeja e kërkesës për takim nga ana e Haradinajt.

Megjithatë, ai shton se në rast se Haradinaj po i fton për të diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje, ai takim do të pranohet vetëm kur ftesa të bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it.

Postimi i plotë i Ymerit:

Sot kam pranuar një letër prej Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që z. Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi.

Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë.

Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it.

Të ngjashme