Zgjedhja e gjyqtarit serb konsiderohet skandaloze

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 10:53 | Nga

Për dallim prej asaj që Kuvendi nuk ia doli t’i zgjedhë tre gjyqtarët shqiptarë, në seancën e së premtes u arritën të zgjidhen dy gjyqtarët e komuniteteve joshumicë: Radomir Llaban dhe Bajram Latifi.

Menjëherë pas kësaj pati reagime të shumta, duke kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Llabanin për gjyqtar. Përmes një letre drejtuar presidentit KMDLJ-ja bëri thirrje që Llaban të kalojë në një proces të verifikimit të së kaluarës.

Pavarësisht kësaj, nga Zyra e Presidentit nuk kanë dhënë përgjigje për “Zërin” nëse kreu i shtetit Hashim Thaçi do ta dekretojë apo jo gjyqtarin serb Radomir Llaban.

Ndërkaq teksa foli rreth kësaj, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu e cilësoi skandaloze zgjedhjen e Llabanit për gjyqtar të Kushtetueses. “Është skandaloze se si në mesin e atyre që u zgjodhën është personi i dënuar si pjesë e një grupi kriminal Radomir Llaban. Kjo u bë e mundur me votat e koalicionit, por edhe të një pjese të opozitës, qoftë të PSD-së ose të LDK-së”, u shpreh ajo.

Kurse dështimi i zgjedhjes së gjyqtarëve shqiptarë, sipas Haxhiut, ka ardhur si pasojë e pazareve mes partive të koalicionit qeverisës.

“Ky dështim ndodhi për shkak të pazareve të koalicionit.

Ata ishin të interesuar që t’i dërgojnë në Kushtetuese njerëzit e tyre, sepse është e qartë që me këtë rregullim dhe me këtë koalicion nuk vlerësohet profesionalizmi, por afërsia me pushtetin. Mendoj që në mesin e tyre ka pasur profesionistë, ndonëse jo shumë, por ata nuk u dërguan në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për shkak të pazareve dhe tendenca për ta kapur Gjykatën me njerëzit  e tyre”, ka deklaruar Haxhiu për “Zërin”.

Të ngjashme