Zgjedhjet e brendshme në AAK fillojnë në shkurt, përfundojnë në maj

Prishtinë | 20 Jan 2018 | 14:51 | Nga

Zgjedhjet e brendshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në të gjitha nivelet e saj, mbahen në periudhën shkurt – maj 2018.

Kështu ka vendosur sot Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje të kryesuar nga kryetari i kësaj partie, kryeministri Ramush Haradinaj.

Aleanca këtë proces e konsideron, ndër detyrat më të rëndësishme të radhës, kjo me qëllim të demokratizimit dhe të hapjes së mëtutjeshme të partisë.

Ishte vlerësim unanim që AAK, të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që besojnë, se kontributin e tyre për proceset politike në parti dhe në vend, mund ta japin përmes kësaj partie.

Kryetari Ramush Haradinaj, me këtë rast tha: “Të synojm afrimin i secilit qytetar të vendit me Aleancën, me strukturat tona në çdo cep të Kosovës. Aleanca ka kuadro të dëshmuara në proceset e deritanishme dhe këtyre strukturave duam ti shtojmë edhe vlera të reja me afrimin e të rinjëve, grave, ndërmarrësve, shoqërisë civile dhe profesionistëve tjerë të ndryshëm”.

Zgjedhjet e fundit në AAK janë mbajtur në vitin 2015, dhe zgjedhjet e reja përmbushin kriterin statutar që ato të organizohen në afatin e rregullt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme