Zogaj: Presidenti Thaçi po i jep kohë Haradinajt që të sigurojë votat

Prishtinë | 23 Kor 2017 | 12:11 | Nga Albulena Avdiu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar partitë politike në një takim konsultativ për të caktuar datën e konstituimit të Kuvendit.

Ftesa e presidentit Hashim Thaçi po konsiderohet e vonuar nga analisti politik, Petrit Zogaj. Në një bisedë për Ekonomia Online, Zogaj ka thënë se presidenti po mundohet që të favorizojë koalicion PAN në mënyrë që të sigurojnë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë.

Në takimin e ftuar për të hënën, shkuarjen e kanë konfirmuar Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën; derisa Lidhja Demokratike e Kosovës, me partnerin e saj AKR, dhe Vetëvendosje pritet ta bojkotojnë këtë takim “ta panevojshëm”.

Drejtori i organizatës “FOL” ka thënë se presidenti Hashim Thaçi është duke kalkuluar që të jetë i bindur që PAN-i dhe kandidati i tyre, Ramush Haradinaj, e ka mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për ta krijuar Qeverinë.

“Në opinionin publik shihet qartazi që zotëri Thaçi është duke favorizuar që qeveria të krijohet nga Haradinaj dhe nga koalicioni i partive që kanë dalë me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës. Kjo thirrje pas më shumë se 10 ditësh të certifikimit të rezultateve është e vonë. Pra nëse zotëri Thaçi do ta kishte këtë logjikë të funksionimit, pra do ta mendonte që qysh në start që do t’i thërras partitë politike për t’u konsultuar në mënyrë që të kemi një datë të konstituimit të Kuvendit. Kjo po shihet si një lloj mundësie për Haradinaj për të siguruar votat e nevojshme për të votuar qeverinë në Kuvend”, ka thënë Zogaj.

Ai ka thënë se presidenti është dashur ta ketë të qartë rolin e tij në lidhje me konstituimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, presidenti e ka pasur shumë të qartë dhe e ka shumë të qartë rolin e tij kushtetues në lidhje me konstituimin e kuvendit dhe me formimin e qeverisë pra dhe me formimin e institucioneve qendrore pas zgjedhjeve të qershorit. Deri më tash presidenti i vendit nuk është që ka treguar rol proaktiv në kuptimin që të vije deri tek një situatë ku ne e kemi të qartë krijimin e institucioneve të vendit”, tha ai.

Drejtori i organizatës Fol ka shtuar më tutje se nëse koalicioni PAN dështon që të formojë qeverinë, Thaçi domosdoshmërisht do të duhet t’ia jepte mandatarin koalicionit të dytë.

“Unë nuk e besoj që pas 10 vitesh shtet jemi në situatën ku ne mund të bëjmë këso lloj lojërash të vogla partiake dhe besoj shumë që presidenti i vendit e ka të qartë që pjesa e diskrecionit për mandatarin e dytë. Është e qartë që nëse i dëshmohet presidentit që LDK me koalicionin dhe VV po ashtu i kanë 61 deputet brenda koalicionit të madh, unë besoj që Thaçi nuk do të kishte rrugë tjetër përpos që ti jepte mandatin koalicioni të dytë”, shtoi ai.

Zogaj ka komentuar edhe rolin e presidentit Thaçi gjatë periudhës së zgjedhjeve. Ai tha se pas 16 vitesh pjesëmarrje në zgjedhje si lider i PDK-së, presidenti e ka pasur të vështirë të distancohet nga fushata zgjedhore, duke shtuar se veprimet e tij gjatë zgjedhjeve lënë shijen e një fushate paralele.

“Presidenti e ka pasur të vështirë që pas 16 viteve pjesëmarrje në zgjedhje si lider i PDK-së tash në vitin e parë kur është president i vendit të jetë i distancuar komplet nga fushata zgjedhore. Nuk e shoh shumë të dëmshme sepse është parë që nuk ka ndikuar shumë ndoshta edhe në rezultat por që besoj shumë që institucionalisht Thaçi do të piqet edhe politikisht që të paktën në zgjedhjet e tetorit të këtij viti të mos marr pjesë ose të mos e lë përshtypjen që po merr pjesë nëpër disa takime që ai po i quan kështu ndoshta edhe miqësore ose edhe institucionale me arsimtarë, me këto takime për me të cilat lënë shijen e një fushate paralele për subjektin që e ka udhëhequr për 16 vite”, ka përfunduar Zogaj.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë certifikimin e rezultateve me 8 korrik, por ende nuk është thirrur seanca konstituive e Kuvendit, ndonëse presidenti ka kohë të thërras seancën deri më 8 gusht. Koalicioni fitues i zgjedhjeve vazhdimisht ka deklaruar se i ka votat për formimin e qeverisë, raporton EO.

Nga zgjedhjet e përgjithshme, koalicioni PAN ka fituar 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje ka 32 deputetë, ndërsa koalicioni LAA 29 deputetë, kurse Lista Serbe 9.

Të ngjashme