10 minutat e mistershme ku truri punon edhe pas vdekjes

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 20:01 | Nga

Sipas një studimi të mjekëve kanadezë, të cilët observuan trurin e personave që ndodheshin në prag të vdekjes, është dalluar se truri i tyre vijonte të punonte edhe pasi pacienti deklarohej klinikisht i vdekur.

Në rastet në fjalë, mjekët konfirmuan se pacienti kishte vdekur, por testet treguan se truri i tyre vijonte të punonte dhe kishte të njëjtin aktivitet me atë të një njeriu që është në gjumë të thellë.

Vetëm një në katër personat e marrë në studim shfaqi aktivitete të gjata misterioze në tru, ndërsa tek të tjerët, aktiviteti vdiste përpara se zemra e tyre të pushonte. Megjithatë, truri i tyre kishte sjellje të ndryshme pak minuta pas vdekjes, duke e shtuar edhe më shumë misterin se çfarë ndodh pas vdekjes.

Sipas të përditshmes britanike “The Independent”, mjekët nuk e dinë se cili është fuksioni i këtij aktiviteti dhe nuk janë nxituar për të dalë në konkluzione.

Deri më tani, ekspertët besonin se thuajse i gjithë aktiviteti i trurit zhdukej rreth një minutë pas vdekjes, sipas disa studimeve që bazoheshin në eksperimentet e zhvilluara tek minjtë.

Çfarë i ndodh trupit dhe mendjes pas vdekjes mbetet thuajse tërësisht mister për shkencëtarët.

Të dhënat e këtij studimi, që mund të çojnë në zbulimin e mjekimeve të reja dhe sfidave të reja etike, u realizuan nga një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Ontarios Perëndimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme