Çiftet me diferencë moshe më të pakënaqur nga martesa

Prishtinë | 13 Sht 2017 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Një studim 13-vjeçar ka treguar se bashkëshortët me diferenca të mëdha të moshës kanë më pak gjasa të jenë të kënaqur në martesën e tyre.

Duke përdorur të dhënat nga mijëra familje australiane, shkencëtarët zbuluan se çiftet që kanë diferencë të vogël në moshë janë më të sinkronizuar për vendime të rëndësishme, si koha për të pasur fëmijë dhe shpenzimet, që i bën ata që të jenë më të përshtatshëm për njëri – tjetrin për një periudhë më të gjatë.

Ata gjithashtu gjetën se burrat dhe gratë që kishin diferencë të vogël të moshës ishin më të aftë për të kapërcyer krizën së bashku, si rënien e papritur ekonomike.

Nga ata që u anketuan, burrat që ishin të martuar me gratë më të reja ishin më të lumtur.

Nga ana tjetër meshkujt e martuar me gra më të mëdha ishin më pak të lumtur me martesën e tyre.

Bashkë-autorja e studimit, Dr Terra McKinnish, i konsideroi këto të dhëna si “jo surprizuese”. Ndërsa sipas ekspertit James Preece, nëse ka shumë diferencë mes palëve, ekziston rreziku që bashkëshortët të duan gjëra të ndryshme në jetë.

“Për shembull, njëri dëshiron të udhëtojë, por tjetri e ka bërë më parë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, niveli i maturisë mund të variojë në mënyrë dramatike dhe zënkat rreth xhelozisë dhe parave mund të jenë të zakonshme”, tha Preece për “The Independent”.

Në fund, gjithçka lidhet me një lumturi të ekuilibruar. Sipas ekspertëve lidhjet me diferencë të madhe moshe, mund të funksionojnë nëse të dyja palët janë të gatshme të bëjnë kompromise dhe të mësojnë nga njëri – tjetri.

Ajo që i surprizoi autorët e këtij studimi ishte fakti se gratë që ishin martuar me meshkuj më të mëdhenj në moshë ishin shumë të pakënaqura, në krahasim me ato që kishin bashkëshortë më të rinj. Studimi tregoi gjithashtu se, si meshkujt ashtu edhe femrat, preferonin një bashkëshort më të ri në moshë. Pavarësisht kësaj, martesat ku të dyja palët ishin më afër në moshë rezultuan më të suksesshmet.

“Nëse shikoni martesat me kalimin e kohës, njerëzit që janë të martuar me një bashkëshort shumë më të vjetër ose më të ri kanë tendencë të kenë rënie më të mëdha në kënaqësinë martesore në krahasim me bashkëshortët që janë në të njëjtën në moshë”, shpjegoi McKinnish.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme