Teknologjia po i bën njerëzit të ndihen të mangët!

Prishtinë | 06 Jan 2018 | 01:55 | Nga Gerald Ramaj

Studimi për çrregullimin mendor “Selfitis” (mania për t’i bërë foto vetes) është me vlerë, por në fakt është më shqetësuese ajo çka e pret shoqërinë në të ardhmen.

Modernizimi, teknologjia dhe marketingu i bazuar në “lumturimin e individit” do të sjellin përherë e më shumë probleme. Ajo çka mendoj se na pret, është një “njeri me një gropë që thellohet përherë e më shumë”. Kjo gropë përkthehet ndryshe në “mangësi”. Jo mangësi në kuptimin e të metës fizike apo mendore, por për një “boshllëk” që kërkon vazhdimisht të mbushet me kënaqësi të momentit, pra, afatshkurtra, sepse e afatgjata do bëhet thuajse e pamundur.

Mendoni për një njeri që konsumon vazhdimisht drogë e alkool, dhe se përse ai nuk heq dorë prej saj? A nuk ndjen edhe ai një boshllëk që s’mbushet kurrë? Kalojmë më tej.

Njerëzit, ashtu si çdo qenie tjetër, jetojnë duke bashkëvepruar me njëri-tjetrin. Ushqehen, luajnë, bisedojnë, punojnë, fitojnë, humbasin, rriten dhe dashurohen bashkë; por, ftohja e këtyre marrëdhënieve shoqërore do çojë, normalisht, në ftohjen e vetë individit. Kemi fakte mjaftueshëm sot.

A nuk i shohim njerëzit çdo ditë të humbur në botën e re që vetë njeriu e krijoi dhe ia solli shoqërisë përmes pajisjeve të vogla “katrore”, që i quajmë celularë, ose përmes kompjuterave?

A nuk janë të shumta rastet sot kur kemi grupe shokësh apo shoqesh të ulura bashkë në një tavolinë dhe ku askush nuk gjen dot dy fjalë që t’i thotë e të shuajë heshtjen? T’ua shkëpusë sytë nga këto pajisje e t’i kthejë në botën reale? Me pak fjalë, kjo ka ardhur si rezultat i ngushtimit të boshtit mendor të këtyre personave, ose ndryshe, moszgjerimi i intelektit dhe aftësisë komunikuese. Ky është një boshllëk që ata e lënë të vazhdojë të zgjerohet vazhdimisht, dhe me zgjerimin e tij, ngushtohet vlera e njeriut. Ngushtohet sepse nuk ka argëtim të përbashkët, miqësor, nuk ka tema të cilat mund t’i nxisin të kërkojnë dhe mësojnë diçka të re, nuk bashkëorganizohen për të zgjidhur një problem, nuk u shërbehet art cilësor, ndjenja të sinqerta, kulturë e kulluar, etj…

Pra, do apo s’do, njeriu mendon përherë e më shumë se bota është e padrejtë, jeta pa vlerë, individët po pa vlerë, dhe gjithçkaje tjetër i humbet kuptimi vazhdimisht.

Ku qëndron problemi i llojit të marketingut që përmenda në fillim? Këtu futet një shpëlarje truri e rëndë përmes reklamave, veshjeve, trupit elegant dhe me muskuj, fytyrës prej modele/modeli, videoklipeve me elemente dhe ndjenja të forta erotike etj… Duke i bërë bashkë të gjitha këto, shoqërisë, fatkeqësisht, i është ngulitur në mendje se “njeri i bukur” quhet ai që është si ata që reklamohen në TV apo kudo tjetër, në të kundërt, quhet i shëmtuar. Dhe këtu individi fillon të ndihet i mangët, të bluajë dhe vuajë brenda vetes iluzione që e trembin kur ai mendon për të dalë para shoqërisë.

Ndaj, çfarë ndodh? Ai merr celularin, bën disa foto, zgjedh njërën ku mendon se duket më bukur (gjithmonë duke e lidhur me atë lloj bukurie që ia kanë shërbyer si të tillë), i bën dhe disa ndryshime me efektet që ofrojnë aplikacionet e posaçme dhe e publikon në rrjetet sociale. Duke ndjekur këtë metodë, ai mundohet të mbushë sadopak mangësitë që ia ka krijuar vetes dhe t’u tregojë të tjerëve se edhe ai është i bukur. Me pak fjalë, mundohet të ngushëllojë veten. Duhet të kuptojmë që secili prej nesh është i bukur në mënyrën e vet!

Nëse ecet me hapa të tilla, edhe pse duket se gjërat nuk po shkojnë ndryshe, shoqëria duhet të marrë masa sa më parë për t’u mbrojtur, në mënyrë që të mos ndikohet nga rrymat e vazhdueshme që prodhon tregu, qëllimi i të cilit është fitimi në kurriz të lumturisë së njerëzve.

Që të merrni rezultate të vërteta, pra, që të ndihmoni veten dhe rrethin shoqëror në të cilin gjendeni, duhet të kërkoni brenda vetes tuaj. Të gjeni çdo pikë të cilën mendoni se e keni të dobët dhe t’ia ndryshoni natyrën. Bëhuni të fortë! Punoni me ndërgjegjen tuaj, përgatiteni atë duke u thelluar në detaje, duke lexuar libra që flasin pikërisht për tema të tilla (e them këtë sepse është mirë që të përzgjidhet ajo që lexohet, të qëndrohet brenda së njëjtës temë dhe të mos e përzieni me materiale të tjera, të cilat mund të dobësojnë efektet e asaj ç’ka kërkoni të arrini), flisni me miqtë tuaj për çdo gjë që të mundeni dhe mundohuni që t’i nxisni edhe ata që të mos heshtin, ndaheni atë që lexoni edhe me të tjerët.

Filloni të ndiqni atë çka ju bën të ndiheni mirë, ju argëton, frymëzon, shtyn të ecni përpara, që ju sjell gëzim, lumturi, … dhe mbi të gjitha, pyeteni veten se çfarë ju bën të ndiheni me të vërtet “UAU”.

(Autori është student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës)

Të ngjashme