Njoftimi me SMS i prindėrve po jep rezultate

Njoftimi me SMS i prindėrve po jep rezultate
nga Ekonomia Online
Prishtinė | 14 Qershor 2013 | 13:20

Shërbimi SMS Flexy-S, i cili ka filluar të zbatohet në disa shkolla të Kosovës, po ndikon në ngritjen e cilësisë në arsim, duke mundësuar përfshirje aktive të kontaktit të shkollës me prindër, të cilët përmes mesazheve në telefonin mobil marrin me kohë informacionet në lidhje me obligimet shkollore. 

Kështu thanë drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në një takim që mbajtën të premten me drejtorët e shkollave të mesme të larta të Kosovës, me ç’rast u prezantua shërbimi SMS Flexy-S. 

Ky shërbim ka filluar të pilotohet në disa shkolla të Kosovës pas një marrëveshje që ka nënshkruar MAShT me kompaninë “aiKATE“ nga Zagrebi. 

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, me këtë rast, tha se ky shërbim është edhe një mundësi më shumë për ngritjen e cilësisë në arsim, sepse mundëson përfshirje aktive të kontaktit të shkollës me prindër, të cilët përmes mesazheve në telefonin mobil do të marrin me kohë informacionet në lidhje me obligimet shkollore. 

Mustafa theksoi se pilotimi i këtij projekti po tregon rezultate të kënaqshme dhe prindërit po i përgjigjen në masë të madhe këtij shërbimi që atyre iu kushton vetëm 93 cent në muaj. 

“Në këto shkolla rezultatet flasin se me aplikimin e këtij shërbimi ka rënie të numrit të mungesave, rënie të numrit të incidenteve dhe ka ngritje të suksesit të nxënësve”, tha Mustafa, i cili shtoi se kjo e ka forcuar shumë komunikimin prindër – shkollë, i cili është i një rëndësie të madhe për suksesin e fëmijës së tyre.  

Drejtorët e falënderuan MAShT-in për organizimin e këtij takimi dhe shtruan nevojën që takime të tilla të jenë më të shpeshta. Drejtorët, po ashtu, e mirëpritën këtë shërbim dhe theksuan se kjo ua mundëson shkollave komunikimin më të mirë me prindërit, e në këtë mënyrë edhe ngritjen e suksesit të nxënësve, pra edhe të shkollës. 

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për shumë çështje tjera, me të cilat ballafaqohet shkolla dhe për mundësitë që të kalohen të gjitha vështirësitë, të cilat hasen gjatë punës së përditshme, thuhet në një komunikatë të MAShT-së. 

Komentet

Komente (0) | Kthehu

Shkruaj koment

Shpėrndaje
P6 - 300 x 250