Policia: Vrasja nė Skenderaj nuk ka lidhje me zgjedhje

Policia: Vrasja nė Skenderaj nuk ka lidhje me zgjedhje
Vendi ku ėshtė vrarė Bekim Birinxhiku
nga Ekonomia Online
Skenderaj | 02 Nėntor 2013 | 18:56

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka dhënë versionin zyrtar lidhur me vrasjen e kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për këshilltar komunal, që ndodhi sot pasdite në Skenderaj.

Policia ka konfirmuar se dorasi është pjesëtar i saj, i cili ishte jashtë detyrës. Vrasjes, sipas hetimeve të deritashme, i ka paraprirë një mosmarrëveshje. 

Policia e Kosovës, rreth orës 16 kishte pranuar një informacion së në Skenderajt, në afërsi të Xhamisë, ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri. “Bazuar në hetimet preliminare, dyshohet se personi i dyshuar V. G., pjesëtar i Policisë së Kosovës jashtë detyrës zyrtare, pas një mosmarrëveshje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës B. B, i cili nga plaga e marra, rreth orës 16:30, ka ndërruar jetë në Emergjencën e Spitalit të Skenderajt”.
 
Dyshohet se deri te ky incident tragjik ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje që ka ndodhur ndërmjet dy personave, me ç’rast ka ardhur deri te vrasja me armë zjarri.
 
Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes dhe janë duke u marrë me hetime intensive lidhur me rastin, ndërsa personi i dyshuar është vetëdorëzuar në polici. Atij i është konfiskuar arma, ndërsa policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe administrative për suspendimin e tij.
 
“Ky rast është një rast kriminal dhe i izoluar dhe nga informacionet e deritanishme në asnjë rrethanë nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor që mbahet me 3 nëntor 2013”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.

Birinxhiku u vra pas një zënke për borxh

Bekim Birinxhiku dyshohet se është vrarë pas një mosmarrëveshjeje për borxh. Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, dyshohet se miqtë (vëllezërit e gruas) të policit V. G. i kishin borxh viktimës, Bekim Birinxhiku, 300 euro.

Ata kanë filluar të bisedojnë dhe situata pas pak ka eskaluar në dhunë. Si rezultat i përleshjes dyshohet se polici, V.G. ka vendosur që t'iu dalë në mbrojtje miqve të tij me ç’rast ka ardhur edhe deri te përdorimi i revoles zyrtare.

Kandidati i AAK-së u vra nga një polic jashtë detyre

Policia e Kosovës ka konfirmuar se kandidati i AAK-së për Asamblenë e Skenderajt, Bekim Birinxhiku, është vrarë nga një pjesëtar i saj.

“Viktima është vrarë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, mirëpo i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare”, ka thënë zëdhënësi Brahim Sadriu.

Ngjarja e rëndë erdhi vetëm një ditë para zgjedhjeve. Por, hetimet e deritanishme flasin se ky rast nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor.

“E gjitha ka filluar me përleshje dhe si pasojë është përdoruar arma e zjarrit... Zyrtari i policisë është vetëdorëzuar në polici bashkë me armën e krimit", ka bërë të ditur Kelani.

Burime nga policia bënë të të ditur se i dyshuari është polici me incialet V.G.

AAk kërkon zbardhjen e shpejtë të rastit

Shtabi Qendror Zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është informuar se në rrethana të pasqaruara është vrarë sot në Skënderaj anëtari i AAK-së, njëri nga udhëheqësit e degës së partisë dhe kandidati i listës së AAK-së në garën për Asamblenë Komunale të Skënderajt në zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit, Bekim Birinxhiku.

AAK, duke u rezervuar nga kualifikimi i këtij rasti të rëndë dhe kriminal mbi jetën e Bekim Birinxhikut, fton organet e rendit dhe të drejtësisë që sa më parë ta zbardhin rastin. Edhe pse nuk dihen motivet, fakti që vrasja është kryer një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, duhet t’i shtyjë organet e rendit dhe prokurorinë që ta zbardhin sa më parë këtë krim.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndan thellësisht dhimbjen me familjen Birinxhiku dhe ua përcjellë ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve të Bekimit dhe të familjes Birinxhiku, veprimtarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të AAK-së në Skënderaj dhe në mbarë vendin.

Kryetari Haradinaj e kujton Bekim Birinxhikun, si një anëtar dhe veprimtar të devotshëm të strukturave të AAK-së në Skënderaj, që prej themelimit të partisë. Ai është shquar për punë të ndershme dhe si njeri që në të gjitha fazat ka kontribuar me gjithë qenien e tij në të mirë të vendit, proceseve dhe të gjitha strukturave në të cilat ka qene i angazhuar.

Në vitet e luftës për lirinë e Kosovës Bekim Birinxhiku ka qenë epror i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe një prej luftëtarëve më të dalluar në Zonën Operative të Dukagjinit. Pas vitit 1999 njihet me kontributin e tij në ngritjen e strukturave TMK-së, pas transformimit të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

Kujtimi për jetën dhe veprën e Bekim Birinxhikut do të jetë gjithmonë i pastër, ashtu sic ishte edhe vetë kontributi i tij, në luftën për lirinë e Kosovës, dhe pas saj, thuhet në telegramin ngushëllues të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, thuhet në një komunikatë të AAK-së.

Kandidati i AAK-së u qëllua nga një polic

Kandidati i AAK-së për këshilltar të Asamblesë së Skenderajt, Bekim Birinxhiku, është vrarë nga një polic i Kosovës. Mbi 38-vjeçarin është qëlluar me revole zyrtare, bëjnë të ditur burime të gazetës Tribuna.

Vritet kandidati i AAK-së në Skenderaj

Kandidati i AAK-së për Asamblenë e Skenderajt, Bekim Birinxhiku, është vrarë sot pasdite nga të shtëna me armë zjarri, që kanë ardhur nga një veturë në lëvizje.

Birinxhiku, 38-vjeç, nga Çubreli i Skënderajt, ish-luftëtar dhe invalid i luftës së UÇK-së, ishte kandidat për këshilltar komunal në Skenderaj, i radhitur i pesti në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 16:15. Gazeta “Zëri” raporton se dëshmitarët kanë thënë se Birinxhiku ishte duke folur me telefon, kur në të ishte shtënë nga një veturë në lëvizje.

Gjithnjë sipas dëshmitarëve, ai ishte ftuar me telefon nga persona të panjohur që të takoheshin me ta në parkingun e xhamisë dhe pa mbërritur në vend ishte shtënë në të. 

Birinxhiku është dërguar shpejt në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderajt, por mjekët vetëm sa e kanë konstatuar vdekjen e tij.

Në Stacionin e Policisë në Skenderaj, deri më tani nuk ka dhënë asnjë hollësi, përveç që e kanë konfirmuar rastin. Për motivin që ka çuar deri te kjo ngjarje tragjike, tani për tani nuk dihet. 

Bekim Birinxhiku ishte një prej luftëtarëve të Zonës Operative të Dukagjinit. Gjatë luftës, ai ishte plagosur dy herë, ndërsa pas lufte, ai bashkë me familjarët e tij mbante një biznes. 

Vrasja vjen kur kanë mbetur vetëm pak orë para se të hapen kutitë e votimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë. 

Komentet

Komente (0) | Kthehu

Shkruaj koment

Shpėrndaje
P5 - 300 x 250