Armando Sadiku protagonist në ndeshjen Lugano-Bazel

Prishtinë | 07 Maj 2017 | 19:16 | Nga

Lugano ka barazuar sot me shifrat 2-2 ndaj Bazelit për t’u ngjitur në vendin e katërt në kampionat dhe protagonistë absolutë të ndeshjes ishin futbollistët shqiptarë në të dy skuadrat, sidomos Armando Sadiku. Ai shënoi golin e barazimit me dorë e më pas në mënyrë të pakuptimtë u ndëshkua me karton të kuq.

Fillimisht Bazeli kaloi në avantazh me anë të Franson, pas asistit të Taulant Xhakës, gjithnjë e më vendimtar për kampionët e Zvicrës. Goli i Zufit në fillimin e pjesës së dytë, pas një aksioni të nisur po nga mesfushori shqiptar, bëri të mendohej se Bazeli do të merrte një fitore të thjeshtë
në transfertë ndaj skuadrës së drejtuar nga Paolo Tramexani.

Por fillimisht Alioski me penalltinë e minutës së 60 shkurtoi shifrat, e më pas nisi spektakli i Sadikut, i cili provoi në të gjitha mënyrat të shënonte. Nga dëshira e madhe për të dërguar topin në rrjetë, në minutën e 77-të ai u ndëshkua me karton të verdhë, pasi shkeli portierin kundërshtar Vaçlik.

Tre minuta më vonë, emri i Sadikut u thirr në kor nga i gjithë stadiumi, pavarësisht protestave të Bazelit, pasi sulmuesi dërgoi topi në rrjetë për të realizuar barazimin. Ai ktheu në rrjetë një pasim me kokë të Marianit nga e majta, ndërsa lojtarët e Bazelit pretenduan se kishte shtyrë topin me dorë në rrjetë.

Gjyqtari akordoi golin dhe Sadiku shkoi të festonte me tifozët, por u ndëshkua pikërisht për këtë festim, duke marrë kartonin e dytë të verdhë e si rrjedhojë të kuqin. Lugano mbeti me 10 vetë në fushë, por arriti të rezistonte deri në fund për të marrë një pikë shumë të vyer që e ngjit në zonën e Europës.

Ky ishte goli i 8 i Sadikut që nga momenti kur i është bashkuar në janar skuadrës së Luganos, duke qenë faktori kryesor i ngjitjes së kësaj skuadre deri në këtë pozitë në klasifikim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme