Berisha tregon si e ndali Dybalan

Prishtinë | 02 Tet 2017 | 17:55 | Nga

Vetëm një natë më parë, ai ndali futbollistin më në formë në Serie A nga pika e 11-metërshit, Dybalan, ndërsa ditën e sotme Etrit Berisha mbërriti në Tiranë për grumbullimin me kombëtaren për ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italinë.

Portieri tregon në një intervistë  për Top Channel momentet e 11-metërshit të pritur në ndeshjen Atalanta-Juventus, të mbyllur 2-2, ndërsa flet edhe për dy ndeshjet e radhës së Kombëtares.

TCH: Etrit, vjen nga një paraqitje shumë e mirë ndaj Juventusit, mos ndoshta të kanë marrë inat tifozët bardhezi?

Etrit Berisha: Nuk besoj, janë pjesë e lojës. Mbrëmë ne bëmë një ndeshje të mirë. Më vjen mirë që pritja e penalltisë ndaj Dybala ishte deçizive dhe shpresojmë të vazhdojmë përpara.

TCH: Çfarë mendove në momentet kur ishe përballë Dybala?

Etrit Berisha: Isha shumë i qetë. Para ndeshjes ne i studiojmë të gjithë lojtarët, ndërsa u mundova të isha në gatishmëri maksimale dhe të shfrytëzoja në maksimum intuitën time.

TCH: E kishe studiuar se si godet?

Etrit Berisha: Normalisht. Ai priti që unë të hidhem në një krah dhe të godiste në sekondën e fundit, por unë qëndrova i pa lëvizur dhe më pas zgjodha krahun e duhur.

TCH: Tashmë, Kombëtarja do të jetë përballë Spanjës dhe Italisë dhe sërish një pjesë të madhe të punës do ta kesh t’i mbi supe…

Etrit Berisha: Ndaj Spanjës do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë për ne, por do të mundohemi të mobilizohemi dhe ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje. Shpresojmë të marrim një rezultat sa më të mirë.

TCH: Po mendoni dhe për ndeshjen ndaj Italisë apo është Spanja përpara?

Etrit Berisha: Aktualisht duhet të përqendrohemi vetëm për Spanjën, ndërsa më pas do të analizojmë dhe përgatisim Italinë.

TCH: Me Spanjën kemi mungesa në repartin e mbrojtjes, a të bën ky fakt që të jesh më në tension?

Etrit Berisha: E kemi diskutuar këtë edhe me disa lojtarë të Kombëtares, por fatmirësisht është rikthyer edhe Gjimshiti, i cili ka zhvilluar së fundmi një ndeshje jashtëzakonisht të mirë. Gjithashtu është edhe Ajeti dhe do të mundohemi të konsolidohemi sa më mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme