Buffon zgjon interesimin edhe të skuadrave angleze

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 11:59 | Nga

Lajmi për largimin e portierit Gianluigi Buffon nga Juventus, pas 17 viteve që qëndroi në portën e “Zonjës së Vjetër”, bëri bujë të madhe gjithandej dhe skuadra të shumta filluan ta shikojnë mundësinë e transferimit të 40 vjeçarit.

Ajo e cila menjëherë u hodh në sulm për të siguruar shërbimet e Gigi Buffon, ishte ekipi francez Paris Saint-Germain, që edhe më tutje llogaritet si favoriti kryesor për ta transferuar gardianin italian.

Mirëpo, së fundmi në garë janë futur edhe tri skuadra angleze, madje tri prej klubeve më të mëdha në Premier League.

Fjala është për Manchester City, Chelsea e Liverpool, të cilat sipas “Tuttosport”, janë të interesuara ta nënshkruajnë Gigi Buffon, edhe pse pas PSG-së, ishte pikërisht Liverpool që u përfol më së shumti nga klubet angleze në lidhje me portierin italian.

E derisa nuk bëhet e ditur nëse nga skuadrat angleze ka pasur ndonjë ofertë konkrete, në anën tjetër francezët e PSG-së, i kanë ofruar Buffon një kontratë dy vjeçare.

Gjatë ditës së djeshme, Buffon paralajmëroi largimin e tij nga Juventus, mirëpo deklaroi se ende nuk po e mendon pensionimin dhe po e shikon mundësinë që të luaj ende, për edhe ndonjë vit dhe po i shqyrton disa oferta, që sipas italianit ai i ka në tavolinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme