Bunjaki: Ndaj Ukrainës do të luajmë më ndryshe se ndaj kroatëve

Prishtinë | 08 Tet 2016 | 15:59 | Nga

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki në konferencë për media sot është shprehur që e dijnë kualitetin e Ukrainës, por do të japin maksimumin që të befasojnë.

“E dimë se përballemi me një ekip shumë të mirë përsëri. Ekip ky që ishte pjesë e Evropianit në Francë, ndërsa ne kemi ekip të ri, me lojtarë të rinj. Ne kemi diskutuar rreth synimeve, dhe ne do të punojmë fuqishëm për të arritur në Evropianin 2020, sepse mendoj se kjo është fer për ne që ta arrijmë, por në të njëjtën kohë ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën në këto ndeshje që të marrim pikë sa më shumë”, është shprehur Bunjaki, raporton Koha.net.

Ai ka thënë gjithashtu se kjo ndeshje do të jetë më ndryshe se ajo e fundit ndaj Kroacisë, skuadra do të mundohet të jetë më direkte, dhe do të jetë më e mbyllur.

“Ndeshja ndaj Ukrainës do të jetë shumë e vështirë. Ata ndaj Turqisë kanë luajtur shumë mirë. Ne do të mundohemi që t’i befasojmë nëse kemi raste. Mendoj se do të jetë një ndeshje më ndryshe nga ajo e fundit që patëm. Kjo ndeshje do të jetë më direkte, dhe do të jemi më të mbyllur se në ndeshjen e fundit. Ukraina ka lojtarë shumë të mirë, ne e dimë këtë, i kemi analizuar, kemi shikuar shumë ndeshje të tyre të më parshme. Sigurisht se ata kanë një ekip shumë të mirë, por ne do të tentojmë që t’i befasojmë, nëse kemi rastin ta bëjmë, do ta bëjmë”, ka thënë trajneri i Kosovës.

Bunjaki ka konfirmuar se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për këtë përballje.
“Për momentin të gjithë lojtarët janë të gatshëm për lojën, sot do të kemi edhe një stërvitje dhe ndihemi mirë, të gatshëm për lojë”, ka thënë ai.

Të ngjashme