Bunjaki refuzon Realin dhe Gjermaninë për Kosovën

Prishtinë | 19 Nën 2016 | 16:30 | Nga

Albert Bunjaki nuk do ta linte Kosovën edhe nëse do t’i jepej mundësia për ta udhëhequr ndonjërën prej Kombëtareve më të mëdha botërore, apo ndonjë klub gjigant. Seleksionuesi kosovar thotë se kontaktohet nga menaxherët e huaj, por as që dëshiron të dëgjojë oferta tjera.

Gjermania është kampione aktuale botërore, kurse Portugalia është kampione në fuqi evropiane. Ndërsa, në nivel klubesh, Real Madridi aktualisht është numër 1 në kontinentin e vjetër. Por, Albert Bunjaki nuk do ta linte përfaqësuesen e Kosovës për asnjërën prej këtyre skuadrave, apo të tjerave të nivelit të tyre.

Përkundër katër humbjeve rresht të pësuara në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”, krahas vetëm një barazimi, përfaqësuesja e Kosovës ia ka marrë zemrën dhe shpirtin seleksionuesit kosovar, i cili ka kontratë me FFK-në deri në vitin 2020.

Andaj, ai është i vendosur ta vazhdojë punën në skuadrën shtetërore të Kosovës përkundër zërave që kanë të bëjnë me ndërprerje të parakohshme të kontratës, shkaku i rezultateve negative.

Pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në kualifikimet e Botërorit sigurisht se ka tërhequr vëmendjen e skautëve të huaj për t’i përcjellë reprezentuesit tonë.

Por, shtrohet pyetja se a e ka tërhequr deri më tani Bunjaki vëmendjen e ndonjë Kombëtareje apo të ndonjë klubi të huaj.

“Normalisht që ka interesime, ka kontakte, por dua të potencoj diçka: Në këto momente nuk e lë Kosovën, qoftë edhe për Kombëtaren më të madhe në botë apo për klubin më të madh në botë”, ka deklaruar Bunjaki

“Unë në 2007-n isha në Kalmar, kur ky klub u shpall kampion. Por, Kosova ka qenë mbi të gjitha për mua dhe vazhdon të mbetet e tillë. Kam punuar në kohë dhe kushte të vështira, qe 7-8 vite duke u munduar ta bëj këtë grup lojtarësh. Kemi qenë të sfiduar si askush tjetër asnjëherë më parë. Dhe vetëm tani gjërat disi kanë rënë në binarë, ndërsa unë dua të jap gjithçka nga vetja për ekipin që e përfaqëson vendin tim. S’dua të dëgjoj për asgjë tjetër. Jeta dhe karriera ime është Kosova”, theksoi Bunjaki.

Trajneri kosovar që jeton në Suedi e pati marrë drejtimin e përfaqësueses kosovare në vitin 2009, pas largimit të Edmond Rugovës.

Ai e kishte nisur punën në një kohë të vështirë, kur Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, dhe në atë situatë e kishte të vështirë të organizonte qoftë edhe kampe për reprezentuesit kosovarë, e lëre më të zhvillonte ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Deri vonë ka punuar edhe pa kontratë. Ndërsa, në kohën kur Kosova ishte e izoluar në katër anët, por që në çdo moment priste të dalë nga izolimi, Bunjaki kryesisht merrej me futbollistët që po luanin larg Kosovës, duke u munduar t’i bindë që t’i bashkohen Kosovës pas pranimit në UEFA-s e FIFA-s, për çka mbante kontakte të vazhdueshme me ta.

Duke e ditur të kaluarën e vështirë, Bunjaki thotë do të ishte absurde sikur të largohet tani kur Kosova ka dalë në arenën ndërkombëtare, gjë që e kishte pritur me vite e me shumë sakrifica.

Të ngjashme