De Biasi: Sfida ndaj Italisë do të jetë shumë e vështirë

Prishtinë | 20 Mar 2017 | 15:19 | Nga

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Giovanni De Biasi gjatë një konference për shtyp në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit kë publikuar listën e 23 futbollistëve që ka grumbulluar dhe do të ketë në dispozicion në prag të ndeshjes eliminatore me Italinë dhe miqësores me Bosnjë e Hercegovinën.

Trajneri De Biasi theksoi se skuadra do “të tentojë dhe do të përpiqet të bëjë ndeshje perfekte”. Ai iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me faktin që ai përballet me skuadrën e atdheut të tij, Italinë. “Do të isha më shumë se sa i lumtur nëse do të arrija ta frenoja Italinë. Do të jem shumë i lumtur nëse fitojmë me Italinë, edhe pse jam italian. Kam ardhur këtu për të punuar seriozisht duke e bërë këtë punë me zemër dhe ne kemi arritur të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Jam ndier shqiptar në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale”, theksoi trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll.

Ai u shpreh se sfida ndaj Italisë do të jetë shumë e vështirë, ndërsa shtoi se lojtarët e grumbulluar nuk kanë asnjë problem fizik.

Lista e Kombëtares së Shqipërisë për dy ndeshjet, ndaj Italisë dhe Bosnje Hercegovinës është tashmë zyrtare dhe përfshin edhe 4 futbollistë nga kampionati shqiptar. Spikat grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Kukësit, Albi Alla. Një tjetër lojtar i Kategorisë Superiore që rikthehet në Kombëtare është edhe mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi.

Kujtojmë se ndeshja Itali-Shqipëri e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës “Rusi 2018” do të luhet më 24 mars në Itali, në stadiumin “Renzo Barbera” Palermo, ndërsa miqësorja me Bosnjën dhe Hercegovinë do të luhet më 28 mars në stadiumin “Elbasan Arena”.

Lista e plotë e futbollistëve të grumbulluar për këto dy ndeshje, është si vijon: Alban Hoxha, Orges Shehi, Thomas Strakosha, Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Albi Alla, Naser Aliji, Elseid Hysaj, Frederic Veseli, Burim Kukeli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Andi Lila, Ledian Memushaj, Taulant Xhaka, Eros Grezda, Jahmir Hyka, Odise Roshi, Liridon Latifi, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Azdren Llullaku dhe Armando Sadiku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme