Distria e Akili konfirmojnë vlerat me medaljet në Podgoricë

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 09:40 | Nga

Me medalje të artë në Evropianin U-23, Distria Krasniqi ka konfirmuar se i takon elitës botërore, ndërsa Akil Gjakova me medalje të argjendtë ka dalë prej krizës së rezultateve.

Kështu ka vlerësuar, të dielën, përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai është ndarë i kënaqur me paraqitjen e xhudistëve në Evropianin për seniorët e rinj (U-23), që u mbajt prej së premtes deri të dielën në Podgoricë të Malit të Zi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Distria Krasniqi, të premten, fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa të shtunën Akil Gjakova doli i dyti në kategorinë deri 73 kilogramë. Për Akilin është suksesi më i madh në karrierë. Ai mposhti garues nga Gjermania, Azerbajxhani e Moldavia para se të pësonte në finale nga rusi Saian Ondar. 21-vjeçari vjet ishte i treti në Evropianin U-23, ndërsa në Podgoricë bëri hapin e radhës.

Të shtunën garuan edhe Loriana Kuka e Laura Fazliu. Ato nuk patën fat në short dhe humbën në luftërat e para nga garuese që më pas shkuan deri në finale.

Jo shumë kohë më parë, trajneri Kuka ishte kritik ndaj Distrisë e Akilit, duke kërkuar qasje më serioze prej tyre. Në Podgoricë mori reagimin për të cilin ka shpresuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme