Ekipi i futsallit KF “Malisheva” hynë në Superligën e Kosovës në Futsall

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 13:47 | Nga

Ekipi i futsallit KF “Malisheva”, pas fitores së mbrëmshme si mysafir, në xhiron e fundit të këtij sezoni, ka arritur të renditet në vendin e dytë në Ligën e Parë të Kosovës në Futsall, dhe me këtë rrjedhimisht siguroi rikthimin e klubit në Superligën e Kosovës në Futsall, transmeton Koha.net.

Për këtë sukses, sot ekipin e futsallit, e ka pritur edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha, drejtoresha e sportit Besartë Kryeziu-Ramaj dhe shefja e kabinetit të kryetarit dhe ish drejtoresha e sportit Blerta Krasniqi, të cilët e kanë uruar klubin e futsallit, për suksesin e treguar.

Drejtuesit përgjegjës komunal, e kanë vlerësuar lartë angazhimin e ekipit të futsallit gjatë këtij sezoni, duke e vlerësuar si një klub shembull i angazhimit për të arritur rezultate, sepse tani dhe ky ekip, futet në mesin e ekipeve sportive që bëjnë gara në kategoritë superiore, krahas klubeve tjera të suksesshme, siç janë klubi i notit “Besa”, klubi i atletikës “Malisheva”, pastaj klubi i futbollit për femra “Malisheva” dhe klubet tjera që kanë treguar rezultate të vazhdueshme.

“Kudo që përfaqësohemi, në çfarëdo niveli të garave, është interes i përbashkët, po kur arrini të hyni në rangun e ekipeve më të mira të vendit, është vërtetë e arritur e madhe dhe ju përgëzoj për këto të arritura, që na bëjnë të ndihemi vërtetë krenar me juve rininë e Malishevës”, tha kryetari Begaj, duke i përgëzuar ekipin e futsallit. “Kur angazhoheni, arrini edhe rezultate të mira dhe ju jeni një prej atyre klubeve shembull për të mirë, kurse neve na mbetet që të vazhdojmë me përkrahjen e klubeve dhe sportistëve në përgjithësi”, tha mes tjerash kryetari Begaj.

Ndërsa nënkryetari Berisha, pasi i ka uruar ekipin për suksesin e treguar, tha se “e mira e gjithë kësaj është se po krijohet një kulturë për sportin në përgjithësi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme