FIFA s’e njeh debutimin e Januzajt me Belgjikën

Prishtinë | 15 Nën 2017 | 21:31 | Nga

Romelu Lukaku do të duhet të presë ende për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares belge të futbollit, pavarësisht se Belgjika pretendon qysh tani se ai është rekordmbajtësi. Edhe debutimi i Adnan Januzajt me Belgjikën tashmë nuk njihet zyrtarisht nga FIFA.

Lukaku shënoi dy herë në barazimin 3-3 të Belgjikës me Meksikën, të premten e kaluar, përpara se të shënonte edhe golin e vetëm të takimit ndaj Japonisë, mbrëmjen e së martës, transmeton Top Channel.

Federata belge njoftoi përmes “Twitter”-it se sulmuesi i Manchester United është ngjitur tashmë në kuotën e 31 golave për kombëtaren e tij, duke e renditur atë në krye të golashënuesve, përpara Bernard Voorhoof dhe Paul van Himst, të cilët e mbyllën karrierën e tyre me 30 gola të shënuar.

Gjithsesi, Lukaku sipas FIFA-s ka shënuar vetëm 28 gola me Belgjikën, pasi organizmi më i lartë i futbollit botëror anuloi miqësoren e luajtur mes Belgjikës dhe Luksemburgut, ndeshje në të cilën sulmuesi kishte shënuar tri herë.

Belgjika fitoi 5-1 ndeshjen e fazës përgatitore përpara Botërorit të vitit 2014, të luajtur në Genk më 26 maj të po atij viti, por FIFA e zeroi këtë ndeshje nga arkiva e saj pasi belgët kryen 7 zëvendësime në fushën e lojës, nga 6 që lejohen për ndeshjet miqësore.

Por ky vendim nuk ka sjellë vetëm këtë pasojë. Edhe debutimi i Adnan Januzajt me Belgjikën tashmë nuk njihet zyrtarisht nga FIFA.

Por, ndërsa Lukaku do të ketë mundësinë të arrijë rekordin prej 30 golash, kur Belgjika të zhvillojë miqësoret para Botërorit të Rusisë në muajin mars të vitit të ardhshëm, nuk dihet nëse për Januzajt ka ndonjë “debutim zyrtar” me Belgjikën apo jo.

Januzaj ka qenë i grumbulluar me kombëtaren e Belgjikës si ndaj Meksikës, ashtu dhe ndaj Japonisë, por pa luajtur ende asnjë minutë në fushat e blerta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme