Finalja mes batutave e “kërcënimeve”

Prishtinë | 13 Maj 2017 | 15:15 | Nga

Gabimet e shumta të gjyqtarëve në këtë edicion, sidomos në ndeshjet Barcelona – PSG dhe Real Madrid – Bayern Munich, kanë ngjallur polemika të shumta. Personalitete të njohura kanë lëshuar edhe ndonjë batutë që po ashtu ka të bëjë me ndarjen e drejtësisë, shkruan sot, gazeta Zëri.

Finalja e Ligës së Kampionëve ndërmjet Real Madridit dhe Juventusit, e cila do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff, është ndër temat më aktuale në opinion. Parashikimet janë nga më të ndryshmet, por nuk mungojnë as batutat rreth epilogut të saj.

Gabimet e shumta të gjyqtarëve në këtë edicion, sidomos në ndeshjet Barcelona – PSG dhe Real Madrid – Bayern Munich, kanë ngjallur polemika të shumta, ndërsa pak kohë pas përfundimit të tyre figura të rëndësishme të futbollit evropian kanë lëshuar edhe ndonjë batutë që po ashtu ka të bëjë me ndarjen e drejtësisë.

Parashikimi i çuditshëm

Në mesin e atyre që e kanë parashikuar fituesin e finales së këtij viti, madje edhe rezultatin e saj, është ish-sulmuesi i Real Madridit, Fernando Morientes. Ai beson se Real Madridi do ta fitojë titullin e kampionit, ndërsa ndeshjen finale do ta fitojë me rezultat 1:0. “Reali do ta fitojë Ligën e Kampionëve.

Skuadra e Zinedine Zidanes do të fitojë me rezultat 1:0, ndërsa golin mund ta shënojë Gareth Bale. Mirëpo, ai do të shënojë nga një penallti e paqenë“, ka thënë duke qeshur 41-vjeçari Morientes, duke aluduar në vendimet e mëhershme të gjyqtarëve, nga të cilat është dëmtuar edhe Reali “i tij”. Më pas, ai ka kujtuar ndeshjet e mëhershme në të cilat Reli ka festuar pas triumfit në Ligën e Kampionëve.

“Në vitin 1998 ne nuk ishim favoritë, sepse Juventusi kishte futbollistë të mëdhenj si: Zinedine Zidane, Didier Deschamps dhe Pippo Inzaghija. Megjithatë, ne fituam”, ka shtuar Morientes.

Në fund, ai ka shtuar se triumfi në Ligën e Kampionëve është shumë i rëndësishëm, pasi askush nuk e mban mend skuadrën që pëson humbje. “Në këtë sport mbahesh mend vetëm nëse fiton dhe kjo kur përfundon në pozitën e dytë”, ka theksuar Morientes. Gjatë karrierës së tij ai e ka fituar tri herë Ligën e Kampionëve me Real Madridin, më 1998, 2000 dhe 2002. Për “Mbretërit” ka luajtur në periudhën 1997 – 2005, është paraqitur në 182 ndeshje dhe ka shënuar 72 gola.

Kundërshtimi

Ndryshe nga Morientes, i cili mendon se Reali ka pësuar nga gabimet e gjyqtarëve, një ish-futbollist i Juventusit, Nicola Amoruso, e thotë të kundërtën, madje pikërisht për finalen e vitit 1998, në të cilën spanjolli kishte festuar.

Amoruso edhe sot është i bindur që Juventusi ishte dëmtuar rëndë në atë ndeshje dhe shpreson që sivjet t’i hakmerret gjigantit spanjoll.

“Sivjet Juventusi është skuadër fantastike dhe gjithçka është pozitive edhe për ta fituar Ligën e Kampionëve”, ka thënë Amoruso. “Do të jetë shumë e rëndësishme të luajmë sërish kundër Realit dhe t’i hakmerremi për plaçkitjen historike që na u bë në vitin 1998. Goli i shënuar nga Predrag Mijatoviq ishte krejtësisht nga pozita jashtë loje”, ka shtuar Amoruso.

Maturia

Një tjetër pjesëmarrës i finales së vitit 1998 do të jetë protagonist i rëndësishëm edhe në finalen e sivjetme. Ish-futbollisti i Juventusit, Zinedine Zidane, aktualisht trajner i Real Madridit, është shprehur shumë i matur para sfidës më të rëndësishme të vitit.

“Skuadra ime përbëhet nga futbollistë shumë cilësorë dhe gjithçka që kemi arritur u dedikohet atyre. Jemi të lumtur që do të luajmë në finale”, ka thënë Zidane, duke theksuar se skuadra e tij nuk është favorite përballë Juventusit.

“Reali nuk është favorit, sepse është vështirë t’i shënohet gol Juventusit. Mirëpo mbrojtja nuk arma e tyre e vetme, sepse kanë futbollistë të shkëlqyeshëm edhe në sulm”, ka shtuar tekniku francez.

Në ndeshjen e 3 qershorit në “Millennium” të Cardiffit Reali do ta ketë mundësinë ta mbrojë titullin e kampionit evropian, që do të ishte hera e parë pas suksesit të tillë të Milanit (1989-1990) dhe ta fitojë për herë të 12-të titullin e kësaj gare. Në anën tjetër Juventusi shpreson që pas 21 vjetësh t’i gëzohet titullit të kampionit evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme