I papranueshëm transmetimi i Ligës së Kampionëve nga Radio Televizioni i Serbisë

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 10:39 | Nga

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e cilëson si të papranueshme transmetimin e Ligës së Kampionëve nga Radio Televizioni i Serbisë.

“Është e papranueshme që pas aq shumë mundimeve, vuajtjeve e sakrificave për të ndërkombëtarizuar sportin e Kosovës, e veçanërisht futbollin, sot të ketë tendenca që të vihet në pikëpyetje anëtarësimi ynë në UEFA e FIFA, nga pretendimet për të transmetuar në Kosovë Ligën e Kampioneve të UEFA-së, përmes Radio Televizionit të Serbisë,” thuhet në reagim, shkruan EkonomiaOnline.

Sipas tij, Kosova është e barabartë në UEFA dhe FIFA dhe për këtë më së shumti jemi borxhli ndaj Legjendës së Sportit tonë, Fadil Vokrrit.

“Është fyerje edhe ndaj tij dhe gjithë atyre që kanë dhënë e sakrifikuar aq shumë për të përjetuar emocionet si ato që kishim në ndeshjen premierë Kosovë – Ishujt Faroe. Nëse lejohet një hap i tillë, esencialisht mund të kontestojë barazinë tonë me shtetet e tjera në UEFA dhe FIFA.”

Në reagim thuhet se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe Serbia nuk mund të ketë kurrë me asnjë kompetencë mbi Kosovën, as për sport e as për asnjë gjë tjetër, shkruan EO.

Si Ministër i Sportit, ai pret që të gjitha institucionet përgjegjëse të kryejnë detyrat e tyre për të garantuar pavarësinë e sportit të Kosovës, qoftë në fushat e blerta apo në ekranet tona televizive.

“Ashtu siç nuk mundet më Serbia të organizojë ndeshje futbolli në territorin e Kosovës, nuk mundet as të marrë të drejta për transmetime televizive në Kosovë, sepse ndryshe ky do të ishte cenim i integritetit territorial të shtetit tonë.”

Të ngjashme