Infrastruktura ligjore dhe ligji për sponzorim – problemet kryesore të sportit në Kosovë

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 13:48 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Komiteti për Sport kanë mbajtur tryezën profesionale “Mbi gjendjen e sportit në Kosovë – mbështetja, klubet dhe shkollat e futbollit”, në të cilën u diskutua mungesa e infrastrukturës së sportit në Kosovë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tryezën e hapi duke ngushëlluar të gjithë profesionistët e sportit dhe të afërmit e dy sportistëve të Kosovës, futbollistit legjendar Fadil Vokrri dhe basketbollistit të përfaqësueses së Kosovës, Gazmend Sinani, i cili humbi jetën tragjikisht më 23 qershor, raporton Ekonomia Online.

“Ju më shumë se çdo qeveri dhe institucion keni bërë për futbollin. Ne duam që problemet tuaja të vijnë drejtpërdrejt në Kuvend, pasi që shpesh merren vendime që formalisht thirren në emër tuaj. Dy ligje që lidhen me këtë fushë është problemi i ligjit për sportin dhe sponzorimet, dhe ky i fundit ende nuk është implementuar në tërësi dhe është absurde që dy vite të ngecen me këtë vendim”, tha Kurti.

“Që nga shpallja e pavarësisë është lobuar në vazhdimësi për Kosovën në UEFA dhe FIFA, por nuk janë bërë hapa që kur të bëhet pranimi ne të jemi të gatshëm në aspektin e infrastrukturës dhe nuk kemi një stadium të pranuar ndërkombëtarisht për gara”, tha Kurti.

Kurti shtoi se publiciteti më i mirë që i është bërë Kosovës kohëve të fundit është ai që kanë bërë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe futbollistët kosovarë në kombëtaren e Zvicrës në këtë botëror.

Drejtuesi i Komitetit për Sport, Faruk Mujka, ngushëlloi po ashtu për humbjen e Vokrrit dhe Sinanit. Ai shtoi se sporti si aktivitet i përditshëm duhet të bëhet me i arritshëm përmes investimeve në infrastrukturë nga të gjithë qytetarët.

“Sporti në Kosovë fatkeqësisht gjendet në nivel inferior në raport me zhvillimin e sportit në vendin tonë. Mungesa e infrastrukturës sportive, si mungesa e fushave të sportit, pishinave etj., nuk ofrojnë standardin e duhur për zhvillimin e sportit në Kosovë”, tha Mujka.

Ai tha se vendi ynë duhet të angazhohet në zgjerimin e terreneve në shkolla, pasi që shkollat kanë nevojë për terrene sportive në ajër të pastër dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet të ndajë buxhet më shumë për aktivitetet sportive.

Mujka tha se komunat kanë buxhet diskriminues sa u përket drejtorive të Kulturës në komuna në raport me drejtoritë komunale tjera gjatë ndarjes së buxhetit komunal.

“Buxheti për sport është diskriminues dhe kjo e humb vullnetin e sportistëve dhe acaron drejtoritë e klubeve me ato komunale”, tha Mujka.

Mevlud Sinani, anëtar i Komitetit për Sport, tha se problemet kryesore që ka sporti në Kosovë është infrastruktura ligjore dhe ligji për sponzorim. Ai tregoi se sponzorimin mund ta bëjnë personat fizikë dhe juridikë, por se shpeshherë sponzorët duan të fitojnë më shumë dhe t’i nxjerrin paratë e tyre dhe kështu ata manipulojnë.

Ai tha se në shumicën e komunave kosovare nuk ekziston asnjë qendër stërvitore dhe si pasojë e kësaj të rinjtë tanë nuk kanë mundësi të zhvillojnë ndeshje profesionale dhe ata luajnë me topa aspak të mirë.

“Rasti më i mirë që mund të merret që të rinjtë tanë munden të jenë sportistë të mirë janë rasti i Shaqirit dhe Xhakës, si ka mundësi që të rinjtë tanë me vendet tjera të arrijnë sukses e në vendin tonë jo, kjo tregon më së miri që sporti në vendin tonë nuk është në gjendje të kënaqshme”, tha Sinani.

Sinani shtoi se qeveria duhet të vendosë si prioritet zhvillimin infrastrukturor për zhvillimin e sportit.

Astrit Maqi, trajner në Shqipëri, tregoi për avantazhet të cilat ofrohen në rast të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ai, sipas përvojës që ka, tregoi se edhe Shqipëria ka qenë pothuajse në këtë gjendje si Kosova para se të jetë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s.

Ai tha se në Shqipëri janë shtuar orët e edukimit sportiv pasi që është para e nevojshme kjo orë mësimore të jetë më prezente për fëmijët pasi që kjo ka ndikuar edhe në shëndetin e tyre se shumë fëmijë kanë qenë obezë më parë.

“Mungesa e infrastrukturës është e padiskutueshme, por kur të hyni në UEFA do të ndryshojë dhe sukseset mund të arrihen nëse bashkëpunojmë sepse UEFA ka shumë projekte”, tha Maqi.

Ndërsa, trajnerja e futbollit të femrave, Afërdita Fazlia, tha se infrastruktura e sportit, politika është problem i kësaj gjendjeje se si e kemi situatën e sportit me infrastrukturën në futboll.

“Në Kosovë kanë filluar mbi 80 projekte të infrastrukturës që janë shpërndarë në territore të ndryshme të Kosovës pa ekspertiza dhe ka mungesë të koncensusit politik që të shkojmë me projekte”, tha Fazlia.

“Fondet që ndahen për infrastrukturë sportive të jenë më të koncentruara dhe jo të futen në baza dhe fusha tenisi edhe pse kam respekt për të gjitha sportet, por futbolli ka nevojë më shumë”, shtoi Fazlia.

Të ngjashme