Juventusit i kushton 2 milionë euro ylli i tretë

Prishtinë | 17 Kor 2016 | 13:53 | Nga

Merkato e Juventus po shkon shumë mirë, por tani ka ardhur një problem nga ish-sponsori teknik i bardhezinjve. Siç ka bërë të ditur e përditshmja italiane “Il Messaggero”, gjykata e arbitrazhit e Gjenevës ka dënuar Juventus-in që t’i paguajë kompanisë Nike një dëmshpërblim prej 1,5 milionë eurosh dhe 550 mijë euro për shpenzimet ligjore.

Arsyeja? Shkelja e kushteve të kontratës së sponsorizimit: Nike, në fakt, ka refuzuar të realizojë fanellat me tre yjet me rastin titullit të 28-të të fituar në kampionat dhe Juventus e ka bërë vetë një gjë të tillë.

Në këtë mënyrë, sipas gjyqtarëve, klubi torinez ka shkelur kushtet e kontratës.

Pesë herë kampionët e Italisë do të jenë të detyruar të paguajnë. Duket se ‘Calciopoli’ po vazhdon t’i kushtojë shumë “Zonjës së Vjetër”, që vazhdon të këmbëngulë se dy titujt që i janë hequr në vitin 2006-të kanë qenë të rregullt dhe se bardhezinjtë kanë fituar në total 34 tituj në Serie A dhe jo 32.

Pavarësisht se kanë kaluar 9 vite nga gjyqi që detyroi Juventus të luajë në Serie B, dhe pavarësisht se torinezët janë kthyer të dominojnë futbollin italian brenda një harku të shkurtër kohor, duket e pamundur që kjo çështje të hidhet mbas krahëve dhe ka shumë mundësi që për të do të dëgjojmë të flitet edhe në të ardhmen.

Të ngjashme