Komuniteti i taekwondos shpreh vullnet t’i japë fund një dekade me probleme

Prishtinë | 20 Tet 2018 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Taekwondo nuk vlerësohet sport shumë i zhvilluar në Kosovë. Zhvillimi dhe masivizimi i këtij sporti luftarak vlerësohet të jetë goditur shumë nga ndarja në dysh e komunitetit të taekwondos, që edhe ashtu është fare i vogël.

Por ndarjes që zgjat për plot një dekadë mund t’i vijë fundi së shpejti, shkruan sot Koha Ditore. Drejtues të klubeve të taekwondos, atyre që thonë se janë aktivë, kanë mbajtur takime të shpeshta në javët e fundit dhe të premten kanë dalë me një komunikatë, përmes së cilës kanë njoftuar se është arritur një marrëveshje me synim “zhbllokimin e ngërçit të krijuar tash e një dekadë për shkak të ndarjes së klubeve në dy taborë udhëheqës”.

“Të gjithë përfaqësuesit e klubeve aktive janë tërhequr nga të gjitha pozitat e deritashme deleguese, qoftë edhe si delegatë apo anëtarë të bordeve ekzekutive, për t’i hapur dyert një kuvendi të hapur zgjedhor. Me këtë marrëveshje klubet aktive i përgjigjen ftesës së Komitetit Olimpik të Kosovës për organizimin e një kuvendi të jashtëzakonshëm zgjedhor, për të zgjedhur strukturën e re udhëheqëse të taekwondos në Kosovë. Ditëve në vijim Këshilli Iniciues i dalë nga vullneti i klubeve do të merret me organizimin e kuvendit, në bashkëpunim me institucionet relevante sportive”, thuhet në komunikatë, që është nënshkruar nga Enis Qafleshi, si kryesues i Këshillit Iniciues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme