Krerët shtetërorë urojnë Akilin dhe Distrian për medaljet në Paris

Prishtinë | 10 Shk 2018 | 22:32 | Nga

Krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë uruar xhudistët Akil Gjakova dhe Distria Krasniqin për medaljen e artë, respektivisht të bronztë, të fituar në Grand Slamin e Parisit.

Akil Gjakova ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e xhudos që u mbajt në Paris pasi mposhti në finale gjeorgjianin, Lasha Shavdatuashvilli, në kategorinë -73 kg.

Postimi pa ndërhyrje i Presidentit Hashim Thaçi:

Vetëm një javë para shënimit të jubileut të pavarësisë së Kosovës, Akil Gjakova, me medaljen e artë që e fitoi sot në Grand Slam-in e xhudos në Paris, njëherësh medaljen e parë të artë, shtetit tonë në arenën ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve, dhe Distria Krasniqi, me medaljen e bronztë në po të njëjtin kampionat, ia sjellin dhuratën më të mirë republikës sonë në ditëlindjen e saj të dhjetë. Urime të përzemërta Akilit, Distrisë, trajnerit Driton Kuka dhe të gjithë dashamirëve të sportit tonë. Krenar me sportistët tanë, ambasadorët më të mirë të Kosovës. HTH

Postimi pa ndërhyrje i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:

Faleminderit Akil dhe Distria! Dhurata më e mirë në 10 vjetorin e pavarësisë!

Postimi pa ndërhyrje i Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli:   

Në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës vjen lajmi i bukur nga Parisi. Akil Gjakova e ka fituar medaljen e artë në xhudon e meshkujve. Urime!!

Të ngjashme