Lomachenko shënon kapitull tjetër historie në boks profesionist

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 10:21 | Nga

Ylli i madh i boksit Vasiliy Lomachenko u fut të shtunën mbrëma në ring në “Madison Square Garden” të New Yorkut me synim për të shënuar një “copë” tjetër historie të boksit. Tash ajo histori është e tij.

Lomachenko përballoi një nokdaun në raundin e gjashtë dhe një luftë shumë të fortë për të triumfuar me nokaut teknik në raundin e dhjetë ndaj venezuelasit Jorge Linares, duke e rrëzuar atë me një goditje në trup, për të rrëmbyer titullin e botës në peshën e lehtë në versionin WBA, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”. Meçi u zhvillua në prani të afro 10.500 shikuesve në arenën e madhe në New York.

Me fitoren e shënuar, Lomachenko ka vendosur rekordin e botës për fitimin e titullit të botës në tri kategori të ndryshme me më së paku luftëra. Ai e ka arritur këtë në meçin e 12-të.

Lomachenko theu rekordin e australianit legjendar Jeff Fenech, që kishte fituar tituj të botës në kategorinë bantam, superbantam dhe atë pendël. Titullin në pendël e fitoi në meçin e 20-të në karrierë në vitin 1988.

Kjo ishte vetëm një pjesë tjetër e historisë që shënoi Lomanchenko. Ai ishte futur në boksin profesionist pasi fitoi të artat olimpike për Ukrainën në vitin 2008 dhe 2012, dhe synimi i tij ishte të bënte histori sa më shpejt që të mundet. Ai konsiderohet gjerësisht boksieri amator më i mirë i të gjitha kohërave me bilanc prej 396 fitoresh e një humbje dhe ai është duke u dëshmuar edhe në boksin profesionist.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme