Mitrovica nikoqire e Finalës së Kupës së Kosovës në basketboll

unnamed-2
Prishtinë | 11 Jan 2017 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Klubit Basketbollistik “Trepça”, Shaban Miftari, me ç’rast bisedoi për gjendjen aktuale dhe mundësitë e mbështetjes të këtij klubi të njohur sportiv në tërë vendin e më gjerë.

Miftari , i njoftoi drejtuesit e komunës për kushtet në të cilat punon klubi që ai e drejton dhe problemet aktuale që e përcjellin punën e klubit.

Ai tha se edhe në kushtet aktuale në të cilat klubi e zhvillon veprimtarinë e vet sportive, që gjithsesi mund të jenë edhe më të mira, drejtuesit dhe basketbollistët po bëjnë përpjekje maksimale që të konsolidohen dhe t’ia kthejnë namin që klubi kishte dikur.

Miftari në vazhdim tha se duke pas parasysh bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që klubi ka me komunën dhe në veçanti me kryetarin Bahtiri, kësaj radhe kanë ardhur me kërkesë për të mbështetur organizimin e gjysmëfinales dhe finales të Kupës së Kosovës në basketboll, pasi Federata e Basketbollit e Kosovës, ia ka besuar organizimin e këtij aktiviteti klubit mitrovicas, që do të mbahet më 17, 18 dhe 19 shkurt të këtij viti.

“Pa mbështetjen tuaj, nuk do të mund të ia dalim të organizojmë këtë garë të rëndësishme basketbollistike. Ne e kuptojmë edhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet komuna, por besojmë se ashtu sikur edhe herëve të tjera që na keni mbështet fuqishëm në të gjitha rastet, edhe kësaj here do të gjeni mundësi për të na mbështetur”, ja tha drejtuesve komunal Miftari.

Kryetari Bahtiri, pasi dëgjoi kërkesën e drejtuesve të KB “Trepça”, tha se edhe përkundër vështirësive të mëdha buxhetore që ka komuna, do të shikojë mundësitë e mbështetjes për organizmin e kësaj gare.

“Ndoshta nuk do të mund të ju mbështesim aq sa ju keni nevojë, por sigurisht se disa nga kërkesat tuaja do t’i mbështesim. Për të tjerat do të shikojmë bashkërisht se si dhe ku mund të gjejmë përkrahje. Ju e meriton përkrahjen e komunës, e cila nuk ju ka munguar në të kaluarën dhe nuk do të ju mungoj as në të ardhmen”, tha ai.

Kryetari Bahtiri në vazhdim i njoftoi drejtuesit e KB “Trepça”, edhe për mundësitë konkrete që komuna mund t’i mbështes në të ardhmen, pas funksionalizimit të qendrës biznesore, me ç’rast do të krijohen kushte më të mira për mbështetje të basketbollit dhe sporteve tjera në komunën e Mitrovicës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme