Ndeshje të reja, humbje të reja për Kosovën në volejboll

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 09:45 | Nga

Humbje të reja kanë pësuar përfaqësueset e Kosovës në volejboll në kuadër të Silver European League.

Volejbollistët e Kosovës të shtunën pësuan 3:0 në sete nga Austria në udhëtim. Seti i parë përfundoi 25:11 për Austrinë, i dyti 25:12, ndërsa i treti 25:20 për austriakët, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Këtë vit kemi ekip shumë të ri. Plani ynë është të ndërtojmë ekip të fortë brenda tre vjetëve. Natyrisht e kemi ditur që Austria është ekip shumë e fortë”, ka thënë Xhevat Buqani, anëtar i shtabit teknik të Kosovës. Në pjesëmarrjen e parë në Ligën Evropiane, volejbollistët i kanë humbur të gjitha pesë ndeshjet dhe janë të fundit në grup pas Letonisë, Austrisë e Maqedonisë. Në pesë ndeshje kanë fituar vetëm një set, ndërsa ndeshjen e fundit e luajnë të mërkurën ndaj Maqedonisë në Shkup.

Volejbollistet të shtunën humbën 3:0 në sete nga Suedia. Morën 11 pikë në setin e parë, 15 në të dytin dhe vetëm 7 në të tretin. Kosova humbi ndeshjen e pestë rresht, të gjitha me 3:0 në sete. Të mërkurën volejbollistet përballen me Estoninë në ndeshjen e fundit. Kosova është e fundit në grup pas Suedisë, Estonisë e Zvicrës.

Ndërkohë volejbollistet e Shqipërisë kanë vazhduar me fitore. Ato fituan me rezultatin 3:2 në sete në udhëtim ndaj Austrisë. Kombëtarja e Shqipërisë e ndan vendin e parë në grupin tjetër. Ka bilanc prej katër fitoresh e një humbje, njëjtë si Austria. Gjeorgjia e Izraeli janë në dy vendet e fundit në grup. Shqipëria ka siguruar kalimin tutje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme