Në foto: Fitorja e parë e Kosovës në Ligën e Kombeve

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 01:37 | Nga

Kosova ka realizuar fitoren e parë në Ligën e Kombeve, duke i mposhtur Ishujt Faroe, me rezultat 2:0, në kuadër të Ligës D në Grupin e 3-të. Një fitore që ia ka mundësuar Dardanëve kryesimin e grupit me 4 pikë, pas xhiros së dytë, pasi ndeshja Maltë – Azerbajxhan është mbyllur pa fitues. Kjo fitore u realizua në stadiumin që e bartë me krenari emrin e ish-presidentit, Fadil Vokrri dhe që u përurua zyrtarisht sonte për ndeshjet ndërkombëtare.

Atmosfera në stadium ishte madhështore, me “Dardanët” të cilët me koreografin e krijuar në minutën e 9-të, me ngritjen e numrit 9 nga secili tifoz dhe me shpalosjen e banerit me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë) në shenjë nderimi për ish-presidentin Vokrri, përlotën jo pak njerëz.

Thirrjet e mbi 13 mijë tifozëve “Vokrri-Vokrri” dhe spekakli i krijuar gjatë ndeshjes iu dhanë zemër futbollistëve në fushë, që përkundër presionit të madh që debutimin në shtëpi ta bënin me fitore në nderim të legjendës së futbollit tonë, arritën që me një paraqitje të shkëlqyeshme, veçmas në pjesën e dytë, ta thyejnë mbrojtjen e hekurt të Ishujve Faroe, të cilët kishin ardhur me qëllimin e vetëm që ta mbanin rezultatin të bllokuar. Megjithatë, muri i mbrojtjes së mysafirëve u rrëzua në fillim të pjesës së dytë.

Në minutën e 50-të Arbër Zeneli me lëvizjet e tij të shkëlqyeshme brenda zonës dhe me gjuajtje të saktë bëri që tifozët të shpërthejnë në lot gëzimi. Ndërkohë, vetëm 5 minuta më vonë Dardanët shënuan sërish, kësaj radhe me golin e Atdhe Nuhiut.

Epërsia prej dy golash krijoi qetësi në lojën e futbollistëve tanë, të cilët më pas e menaxhuan mjaft mirë lojën, madje duke krijuar edhe disa raste tjera shënimi, por që nuk arritën të konkretizoheshin. Në fund të gjithë në stadium ishin krenar me këtë fitore, derisa ajo nga të gjithë iu dedikua ish-presidentit Fadil Vokrri.

Në tribunën VIP,  ishin dhe sekretari gjeneral i UEFA-s, Theodore Theodoridis, si dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi; kryeparlamentari Kadri Veseli; kryeministri Ramush Haradinaj; bashkëshortja e ish-presidentit Vokrri, me djemtë Gramozin e Albertin; dhe shumë mysafirë tjerë.

Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë përgëzuar përzgjedhësin Bernard Challandes dhe stafin e tij, si dhe lojtarët për këtë fitore të bukur.

Me këtë rast, presidenti Ademi, me lot në sy u ka thënë futbollistëve se me këtë fitore e keni bërë krenarë tërë popullin dhe e keni bërë atë që e ka dëshiruar ish-presidenti Vokrri, i cili sonte na ka parë nga qielli.

Fotot: FFK

Të ngjashme