Neymar regjistron rekordin e parë, 10 ndërhyrje të gabuara ndaj tij

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 12:43 | Nga

Neymar është në kërkim të rekordeve nëpër Botërorë, por nga ai lloj që shënoi një natë më parë gjatë sfidës kundër Zvicrës, sigurisht do të donte shumë pak, ose aspak.

Ylli i “Seleçao”-s, veç faktit që vjen me një gjendje fizike më të vonuar sesa të tjerët, pësoi dje plot 10 goditje dënimi, hera e parë për një brazilian që prej Botërorit 1966, e një statistikë rekord për një futbollist që prej Francë 1998, kur anglezi Alan Shearer pësoi edhe më keq gjatë një ndeshjeje me Tunizinë, lojtarët e së cilës i ndërhynë 11 herë gabim.

Në përfundim të ndeshjes kundër Behramit me shokë, Nymar nuk kishte si të mos e komentonte këtë statistikë, por me vetëpërmbajtje.

“Nuk kam asgjë për të thënë, futbolli kështu është, ndaj është diçka normale”, ishin fjalët e tij në zonën drejt dhomave të zhveshjes. “Ndonjëherë kundërshtarët të ndalojnë kështu, nuk kemi përse ta kthejmë në çështje. Unë duhet të fokusohem vetëm te të luajturit futboll, ose të paktën të provoj ta bëj diçka të tillë, pastaj janë arbitrat që merren me të tjerat. Më kanë goditur, më dëmtuam dhe ndonjëherë edhe me qëllim, por nuk është ndonjë gjë për t’u shqetësuar”.

Më shumë sesa “dëme fizike”, plagët më të rënda janë ato shpirtërore, për faktin se nuk arriti të shkëlqente në ndeshjen e parë debutuese. Rruga është ende e gjatë, por të gjithë prisnin një nisje më të mirë nga kombëtarja e vendit të Sambës.

“Meritonim diçka më shumë sesa barazimi, por nuk ishte një ndeshje e lehtë, përkundrazi e komplikuar. Fizikisht u ndieva mirë, po përmirësohem nga dita në ditë. Pak nga pak po arrij formën e duhur. Goli i Zvicrës? Për mua ishte një faull ndaj Mirandës, edhe nëse shohim përsëritjen mbetem te kjo bindje. Por nuk më takon mua të gjykoj, ka profesionistë që duhet ta bëjnë këtë. E përsëris, barazimi ishte i drejtë, por është e qartë se mund të luajmë edhe më mirë. Ndeshja tregoi se nuk do të jetë asgjë e lehtë në këtë Botëror”, tha më tej Neymar.

Megjithatë, jo të gjithë janë kënaqur me kontributin e “O Ney”-t. Shtypi brazilian e ka akuzuar yllin e Paris SG për egoizëm të tepruar dhe se luan vetëm për objektivat e vet.

“Ishte një natë e tmerrshme – shkruan Arnaldo Ribeiro i “ESPN Brasil”. – Ai meritonte të zëvendësohej, donte ta fitonte i vetëm ndeshjen dhe prishi gjithçka. Do të ishte më mirë të aktivizohej Douglas Costa, përse nuk e futi trajneri?”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme