Sadiku i bashkohet gjigantit evropian

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 19:38 | Nga

Greqia mund të jetë destinacioni i radhës i Armando Sadikut dhe jo vetëm për pushime, siç ka ndodhur gjatë kësaj vere kur sulmuesi shëtiti disa ditë bregdetin grek.

Mediat greke raportojnë se sulmuesi është shumë pranë firmës me skuadrën e Panathinaikos, një marrëveshje e cila po ecën me ritme të shpejta pasi edhe 26-vjeçari ka konfirmuar se e tërheq ideja për të luajtur në këtë klub të njohur.

Sipas “gazzetta.gr”, Panathinaikos po shqyrton disa mundësi për të zëvendësuar suedez Markus Berg, i cili u transferua te Al Ain.

Suedezi ishte forca kryesore e repartit të avancuar për skuadrën që përfundoi kampionatin në vendin e tretë duke siguruar njëkohësisht edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Një nga emrat që u është ofruar se fundmi dhe që tërhoqi menjëherë palën greke, ishte ai i Sadikut. Drejtuesit e Panathinaikos kanë filluar bisedimet intensive si me futbollistin, ashtu edhe me klubin e Zyrihut që zotëron kartonin e tij. Konfirmimin e ka dhënë edhe vetë futbollisti shqiptar.

“Po, jam në dijeni për interesimin e Panathinakos dhe jam i nderuar nga kjo gjë. Menaxheri im është në kontakte me klubin, mendoj se jemi pranë akordit. Por për momentin nuk mund të them më shumë.

Kjo do të ishte një sfidë e madhe për karrierën time, shpresoj që të shkojë gjithçka mirë dhe të ndihmoj skuadrën. Kjo është një mundësi shumë e mirë për mua”, u shpreh Sadiku për “gazzetta.gr.

Sadiku aktualisht gjendet në Zvicër, ku po stërvitet individualisht në pritje që të mësojë të ardhmen e tij dhe ku do të luajë në sezonin 2017-2018.

Ai ka deklaruar gjithmonë se kërkonte një klub që të mund të luante rregullisht në Europë. Panathinaikos aktualisht ka siguruar kualifikimin në Ligën e Europës dhe do të mësojë në fundjavë kundërshtarin për turin e tretë paraeliminator të turneut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme