Salihi: Ishte një veprim i nxituar, u ndikova nga nervat

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 23:25 | Nga

Pas dënimit nga ana e Komisionit të Disiplinës, vjen edhe reagimi i Hamdi Salihit. “Bomberi” shkodran ka dhënë një prononcim për sajtin zyrtar të Skënderbeut, ku ka shprehur pendesë për gjestin që bëri në ndeshjen kundër Kukësit, ku i grisi kartonin arbitrit Enea Jorgji.

Salihi ka deklaruar se ai ishte një veprim i nxituar, por që erdhi pas tensionit të lojës pasi gjithë ekipit po i hidhej poshtë mundi dhe sakrifica, teksa në fund i kërkoi falje klubit të Skënderbeut dhe tifozëve bardhekuq. Ja deklarata e tij.

“Më vjen keq, vërtetë për atë çfarë ndodhi në fushën e lojës, në atë përballje finale. Tensioni, presioni dhe nervat e lojës janë në nivele shume të larta, pasi po shikonim që mundi dhe sakrifica jonë po hidhej poshtë nga një individ, por duhej të ruanim qetësinë dhe të vazhdonim lojën me ato mundësi që kishim. Më vjen keq për veprimin e nxituar, por nervat e lojës ndikuan shumë. Ai nuk është një veprim shëmbull për të ardhmen e futbollit, ashtu siç nuk janë dhe provokimet që na u bënë në fushë. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, në veçanti të tifozëve të Skënderbeut, pasi siç dihet, natyra e vërtetë e Salihit, por edhe e gjithë klubit të Skënderbeut nuk është ajo që u pa në Kukës”, ishin fjalët e Hamdi Salihit.

FSHF me dënime të ashpra për Osmanin dhe Salihin

Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) nuk është kursyer ndaj Skënderbeut duke ndëshkuar ashpër korçarët për ngjarjet e ndeshjes me Kukësin.

Reagimi i lojtarëve të Skënderbeut ndaj gjykimit të Jorgjit nuk ka kaluar pa pasoja.

Ajo që bie më shumë në sy është se Hamdi Salihi, i cili nuk u ndëshkua me karton për sjelljen e tij, është ndëshkuar më rëndë se sa Osmani i cili la fushën e lojës me karton të kuq.

1. KF “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindemijë) Lekë.

2. Lojtari i KF “Skenderbeu” Tefik Osmani, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes duke përdorur fjalë fyese e duke u përplasur fizikisht, në bazë të nenit 49/1/a) të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshjes pezullim nga aktiviteti.

3. Lojtari i KF “Skenderbeut” Hamdi Salihi, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes në kundërshtim me etikën sportive, në bazë të nenit 49/1/a) të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

4. Zyrtari i KF “Skenderbeu”, Gerhard Takaj, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 49/2/b) të KDS dënohet me 18 (tetembëdhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti dhe në bazë të nenit 20 të KDS i ndalohet qendrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.

5. KF “Skenderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 66/2 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindemijë) Lekë.

6. FK “Kukësi”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindemijë) Lekë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme