Shah-boksi po u jep mundësi vajzave nga India

Prishtinë | 20 Maj 2018 | 14:05 | Nga

Në një mëngjes të ftohtë, në një palestër në Kalkuta, Pushpa Jha, 15-vjeçare, nisi të godasë thesin e boksit me gjithë forcën, duke derdhur shumë djersë, derisa nëna e saj e shikonte.

Jha kishte vuajtur nga kequshqyerja kur ishte më e re, që ndikoi në sistemin e saj respirator, duke ndalur rritjen e saj. E vogël dhe e brishtë, ajo nuk pritej të ishte kandidate për të fituar titullin e shah-boksit në Botërorin amator, shkruan “Pacific Standard”, transmeton “Koha Ditore”. Por ajo e fitoi titullin në maj të vitit 2017 dhe tash ia ka vënë syrin mbrojtjes së titullit në garën që mbahet në Kalkuta gjatë korrikut.

Trajneri i saj, Montu Das, president i Federatës së Shah-Boksit të Indisë, thotë se ajo ka diçka që shumë të tjerave u mungon, vullnetin për të pasur sukses me çdo kusht. Nëna e saj, Golapi Jha, pajtohet.

“Ajo harron çdo gjë kur është në ring. Ajo është plagosur dhe lënduar dy herë gjatë meçeve dhe asaj shpesh i rrjedh gjak nga hunda gjatë angazhimit të madh fizik, por prapë është e përkushtuar të vazhdojë”, thotë Golapi, që është pastruese.

Shah-boksi është shpikur nga holandezi Iepe Rubingh në vitin 2003. Kombinon shkathtësitë intelektuale që kërkohen për të fituar një meç shahu me forcën fizike që të duhet për të mposhtur një kundërshtar në ring. Lojtarët përballen në 11 raunde në shah dhe boks derisa njëri dështon në tabelë të shahut apo nokautohet në ring.

Për befasi të pionierëve të këtij sporti, sporti i ri po transformon jetën e një grupi të vajzave të Indisë.

Shumica e tyre kanë mësuar shah në shtëpi, kështu që përqendrimi i tyre është te shkathtësitë fizike të nevojshme në boks, ndërsa gjysmë ore të fundit e dedikojnë për të përgatitur strategji në shah.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme