Shala uron xhudistet Kelmendi e Gjakova

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uron xhudisten Majlinda Kelmendi për fitoren e medaljes së artë në kategorinë deri në 52 kg, respektivisht xhudisten Nora Gjakova, për fitoren e medaljes të bronztë në kategorinë deri në 57 kg, ku të dyja ngadhënjyen me ippon, në Kampionatin Evropian të Xhudos që po mbahet në Poloni, nga 19 deri më 23 prill.

Ministri Shala u shpreh se tashmë fitoret e xhudisteve tona nuk i dëshmojnë vetëm cilësinë dhe rezultatet, por janë një shembull i punës për sportistët tjerë që duan të ndjekin rrugëtimin drejt suksesit. Gjithashtu, suksesi i xhudisteve kosovare është model edhe për xhudistet e shteteve tjera të cilat duan të arrijnë suksese në garat ndërkombëtare.

Ministri tha se është pak të shprehemi se ndjehemi të gjithë krenarë dhe të gëzuar për suksesin që ka arritur xhudoja kosovare në arenën ndërkombëtare. Rezultatet që kanë arritur dhe po arrijnë xhudistet tona tejkalojnë kufijtë e sukseseve në fushën e sportit. Ato lirisht mund të llogariten edhe sukses i shtetit tonë, tha Shala.

Po ashtu, Shala u shpreh se MKRS-ja po punon në hartimin e politikave sa më të mira për sportin por edhe duke investuar në infrastrukturë. Në muajin shkurt, MKRS-ja ka nënshkruar memorandum për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, ku ka ndarë 1 milion e 500 mijë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme