Shefi i referimit italian: Do ta mbroja gjyqtarin anglez kundër Buffonit

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 14:53 | Nga

Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Futbollit Italian, Marcello Nicchi, ka thënë se do t’ia mbante anën gjyqtarit Michael Oliver nëse incidenti kërcënues me Gianluigi Buffonin do të ndodhte në një ndeshje të Serisë A.

Buffon u përjashtua nga ndeshja për sjellje të pahijshme drejtuar Oliverit pasi s’u pajtua me vendimin e gjyqtarit anglez për të akorduar penallti për Real Madridin në kohën shtesë, e cila rezultoi me eliminimin e Juventusit nga çerekfinalja e Ligës së Kampionëve dhe kalimin e Realit në gjysmëfinale.

“Duhet t’i respektoj të tjerët, prandaj ajo që ndodhi në Madrid duhet të rregullohet nga organizata ndërkombëtare”, ka thënë Nicchi për Radio Anch’io Sport.

“Nuk ia lejoj vetes ta gjykoj punën teknike. Buffon është kampion madhështor, megjithatë, në nivele të caktuara, duhet të jesh i kujdesshëm se çfarë thua. Gjithmonë ka fëmijë që mund të dëgjojnë.

“Sikur të ndodhte në Itali? Do ta mbroja gjyqtarin. Gjyqtarët nuk mund të kërcënohen as para, gjatë apo pas ndeshjes”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme