Te Barcelona e shohin Ter Stegenin si më të mirin në botë

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 14:12 | Nga

Mbrojtësi anësor i Barcelonës, Jordi Alba, e ka shpallur portierin e skuadrës së tij Marc-Andre ter Stegenin si më të mirin në botë, pas fitores 2:1 që Barcelona e shënoi ndaj Real Sociedadit të shtunën.

Barcelona me fitoren e shënuar në udhëtim ndaj Sociedadit ka mbajtur bilancin e qind për qind, me 12 pikë të mbledhura pas katër xhirove, ndërsa ka krijuar dy pikë epërsi ndaj Real Madridit, që zë vendin e dytë.

Ter Stegen ishte ndër më meritorët për fitoren e shënuar nga Barcelona, duke bërë disa pritje spektakolare.

“Me rëndësi është se kemi siguruar tri pikët. Në pjesën e parë nuk ishim në nivelin tonë të zakonshëm. Ata erdhën një herë në zonën tonë, shënuan dhe u mbyllën, kështu që ishte e vështirë. Çdo gjë ndryshoi në pjesë të dytë, gjetëm golin e barazimit dhe ata rrezikonin vetëm me kundërsulme. Për mua, Ter Stegen është portieri më i mirë në botë dhe ai na ka shpëtuar”, ka thënë Alba për faqen zyrtare të Barcelonës, transmeton “Koha Ditore”. “Synimi ynë është të fitojmë La Ligan, Kupën e Spanjës dhe Ligën e Kampionëve”.

Aritz Elustondo ka shënuar golin e epërsisë për Sociedadin në minutën e 12-të, para se Luis Suarez (63′) dhe Ousmane Dembele (66′) të përmbysnin rezultatin.

“Ter Stegen ka bërë disa pritje të mëdha. Ata kishin disa raste të pastra dhe ai na shpëtoi. Por secili nga lojtarët e mi kryen detyrën me sukses”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.

Njëjtë fjalë të mëdha për portierin gjerman ka pasur edhe mesfushori Sergio Roberto.

“Është kënaqësi të kemi Ter Stegenin në skuadër. Ai gjithmonë na ndihmon”, ka thënë Roberto.

Derisa Barcelona ka shënuar fitore, Real Madridi nuk ka arritur më tepër se një barazim 1:1 me Athletic Bilbaon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme