UEFA pritet të mos lejojë përballjet me ekipet nga Serbia

Prishtinë | 19 Qer 2017 | 08:39 | Nga

Në mesin e 50 skuadrave që mund të jenë kundërshtarë të Prishtinës në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës janë edhe dy skuadrat nga Serbia, Vojvodina dhe Cërvena Zvezda.

Vojvodina e Zvezda do të luajnë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës dhe janë në mesin e skuadrave bartëse. Prishtina është jobartëse dhe shorti mund ta vërë atë përballë skuadrave nga Serbia, shkruan sot “Koha Ditore”.

Më herët nga FFK-ja dhe Federata e Futbollit të Serbisë kanë shprehur interesim që të mos vijë deri te përballje të tilla. Dhe sipas kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, UEFA nuk do të lejojë që të ketë përballje të ekipeve nga Kosova dhe Serbia në gara evropiane. “Sigurisht UEFA nuk do të lejojë përballjet e tilla”, ka thënë Vokrri të dielën.

Një vendim të tillë UEFA mund ta marrë për të shmangur tensionet eventuale. Trepça ‘89 do të mundë të përballet me Partizanin e Beogradit, nëse e kalon raundin e parë në Champions dhe nëse natyrisht nuk ka një vendim të UEFA-s që e përjashton këtë mundësi.

UEFA në sajtin e saj ka paralajmëruar mundësinë e paraqitjes së kufizimeve, para shortit për Champions. FIFA ka ndaluar përballjet e përfaqësueseve të Kosovës me përfaqësueset e Serbisë dhe të Bosnjës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme