UP-ja u ndan mirënjohje studentëve sportistë që fituan medalje në Japoni dhe Portugali

Prishtinë | 27 Kor 2018 | 14:08 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës ka organizuar ceremoninë e pritjes solemne të përfaqësuesve të sportit universitar kosovar në Lojërat Evropiane Universitare, “ EUG 2018”, dhe në Kampionatin Botëror Universitar të Karatesë, gjatë së cilës tre studentëve sportistë u janë ndarë mirënjohje dhe nga një stemë e UP-së.

Studenti i Fakultetit të Mjekësisë në UP, Alvin Karaqi, fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të karatesë për universitete në mesin e 33 shteteve pjesëmarrëse, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se me këto suksese i kanë treguar botës se Kosova ka sportistë dhe studentë me potenciale të mëdha.

“Për mua ka qenë ndjenjë e veçantë sepse e kam përmbyllur karrierën si sportist i universitetit me këtë medalje. Nuk arrita të bëhem kampion, por zhgënjimi u mbulua me këtë medalje. I treguam botës se kemi potencial, që jemi edhe studentë të mirë dhe që kemi potencial me shkëlqy në botë paralelisht me shkencën”.

Ndërsa xhudistja Fjolla Kelmendi, e cila është studente e Fakultetit të Edukatës Fizike në UP, ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Evropiane Universitare “EUG 2018”, raporton EO.

Ajo u shpreh e lumtur me suksesin e saj në Portugali dhe e kënaqur me përfaqësimin e shtetit dhe universitetit atje.

“Për mua ka qenë edhe privilegj edhe kënaqësi qe kam përfaqësuar shtetin dhe universitetin. Shpresoj që medaljet tona të jenë nismë për medalje tjera”.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, i cili ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të Lojërave Evropiane, tha se ka qenë kënaqësi të shohësh stemën e flamurit të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës, raporton EO.

Ai ka thënë se të dy studentët janë krenaria e UP-së, derisa uroi që suksesi i tyre t’i frymëzojë edhe të rinjtë e tjerë.

“Ka qenë kënaqësi më e madhe fitorja e Fjollës në këto gara, në vendin e dytë. E urojmë edhe Alvin Karaqin i cili ka zënë vendin e treëe. Të dy janë krenaria e UP-së dhe mbarë Kosovës. Uroj që kjo të jetë hapi i parë drejt realizimit të sukseseve tjera, uroj që suksesi juaj t’i frymëzojë edhe të rinjtë tjerë që të na bëjnë krenarë. Ju falënderojmë për këtë dhuratë të madhe që i keni bërë universitetit”.

Musa Selimi, dekan në Fakultetin e Edukimit dhe Sportit, tha se garuesit kanë treguar vlerat individuale por edhe vlerat e Universitetit të Prishtinës.

Ai ka kërkuar që studentët sportistë të dallohen nga studentët e rëndomte dhe të gëzojnë më shumë përfitime.

“Në Portugali na prezantoi denjësisht Fjolla. Mbështetja nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë dhe studentët sportistë duhet të dallohen nga studentët e rëndomtë dhe të marrin shpërblime si konviktet sepse e meritojnë”.

Ai bëri të ditur se nga shtatori do të marrin pjesë edhe në gara tjera ndërkombëtare.

Kurse karateisti tjetër, Elhami Shabani, ka pësuar humbje në luftën për medaljen e bronztë përmes repesazhit, duke zënë kështu vendin e 5 në kampionatin botëror.

Kosova u përfaqësua nga Federata e Sportit Universitar të Kosovës, e cila është anëtare e plotë e Federatës Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU).

Të ngjashme