Vlerësohet suksesi i atletit Hajdari, kërkohet përmirësim i kushteve të stërvitjes

Prishtinë | 23 Shk 2018 | 17:08 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Atleti kosovar, Musa Hajdari, pati një paraqitje të mirë dhe arriti të shpallet nënkampion i Ballkanit, në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në sallë për seniorë, që është mbajtur në Stamboll të Turqisë, në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, raporton Ekonomia Online.

Në këtë kampionat Kosova është përfaqësuar me 6 atletë në disiplina të ndryshme, në sallë sportive, që konsiderohet si më e vështirë. Me këtë rast, Federata Atletike e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka marrë pjesë edhe vet nënkampioni Hajdari.

Nënkampioni Hajdari, tha se 17 shkurti i këtij viti ishte i veçantë për të. Suksesi mund të ishte edhe më i mash pasi që vetëm nëntë të qintat e sekondit e kanë ndarë nga medalja e artë.

“Në 10-vjetorin e pavarësisë ishte ditë e veçantë për mua dhe federatën. Ishte garë e vështirë duke e ditur që kemi qenë në sallë. Ishte garë e ngushtë, diferenca ka qenë për nëntë të qintat. Më 18 shkurt mora pjesë edhe në mitingun ndërkombëtar ku theva rekordin në Kosovë. Shpresoj se ky sukses të jetë motiv edhe për të rinjtë. Është vështirë të futesh në mesin e tre më të mirëve”, tha Hajdari.

Kurse Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës, tha se për ta kanë qenë dy festa. Federata i ka ndarë Hajdarit 1 mijë e 250 € si shpërblim për suksesin, ndërsa trajnerit Kryeziu 625 €.

“Them se federata ka në program të saj arritjen e rezultateve sa më të mira në Kosovë dhe jashtë saj. Sot do të flasim për nënkampionin ballkanik Musa Hajdarin. Ne kemi pasur dy festa, përvjetorin e pavarësisë dhe suksesin e Musa Hajdarit. Ai ka qenë kampion edhe më herët por në sallë të hapur. Shfytëzoj rastin të ju dhuroj shpërblimet. Musa Hajdarit i takojnë 1 mijë e 250 €, ndërsa trajnerit 625€ “, tha Sylejmani.

Selektori dhe trajneri, Zijadin Kryeziu, tha se u mungojnë kushtet elementare në Kosovë. Ai njoftoi se kanë gara të rëndësishme për para dhe u bëri thirrje institucioneve që të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës.

“Ishte garë e ngushtë, kishin të bëjm me garues të fortë. Kam kërkesë te institucionet që të shikojnë më mirë dhe jo të mbetemi peng i federatave tjera që nuk e kanë të zhvilluar në nivelin ballkanik. Jo që nuk kemi palestra por asnjë korsi nuk e kemi. Këtë e din edhe ministria dhe Komiteti Olimpik. Ka pasur mundësi të bëhen edhe disa korsi. Na presin gara të rëndësishme, si kampionati në Birmingham. Apeloj që së paku të mund ta bëjmë një palestër të organizuar që atletët të mund të përgatiten”, tha Kryeziu.

Në mars Kosova do të përfaqësohet vetëm me Hajdarin në kampionatin botëror në Birmingham, i cili do të mbahet në sallë.

Atleti Hajdari kishte dalë i dyti në këtë kampionat edhe në vitin 2016, në disiplinën 800 metra.

Të ngjashme