Apple afër vlerës prej 1 trilion dollarë

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 14:52 | Nga

Apple është vetëm pak hapa larg të bërit kompania e parë në histori me vlerë 1 trilion dollarë, një cak simbolik ky që tregon se sa shumë kompanitë e teknologjisë po dominojnë në bursat amerikane.

Të premten e kaluar, gjiganti i teknologjisë vlerësohej në mbi 940 miliardë dollarë, vetëm 60 miliardë më pak nga shifra që asnjë kompani tjetër e vlerësuar në bursa, nuk e ka arritur ndonjëherë.

Sidoqoftë, Apple nuk është e vetmja kompani teknologjike që po i afrohet trilionëshit. Amazon, aktualisht vlerësohet në mbi 820 miliardë dollarë. Por, për momentin, Apple është lider i padiskutueshëm. Edhe investuesi i famshëm, skeptik për teknologjinë, Warren Buffet, ka vënë vulën e tij të aprovimit mbi kompaninë duke blerë 75 milionë aksione dhe duke injektuar besim shtesë në titanin e teknologjisë, transmeton Telegrafi.

Kur Steve Jobs vdiq në 2011, shumëkush u shqetësua se kompania do të përballej me vështirësi. Por, nën drejtimin e pasuesit të përzgjedhur prej vetë atij, Tim Cook, apple tashmë ka shumëfishuar vlerën e asaj kohe. Apple, sërish, mund të mos jetë kompania e parë që kalon kufirin e 1 trilionëshit.

Gjiganti i teknologjisë, mund të lihet pas nga Aramco, prodhuesja e naftës nga Arabia Saudite, që mund të vlerësohet në rreth 2 trilionë dollarë kur ajo të dalë në bursa vitin e ardhshëm. Marrë së bashku, kompanitë teknologjike Facebook, Apple, Amazon, Netflix dhe Google, kanë një vlerë që shkon në rreth 4 trilionë dollarë, duke dominuar qartazi në indekset e bursave amerikane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme