“Dieselgate”, arrestohet shefi ekzekutiv i Audi

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 13:26 | Nga

Shefi ekzekutiv i prodhuesit gjerman të automjeteve “Audi”, Rupert Stadler është arrestuar këtë të hënë në lidhje me hetimin mbi skandalin e emetimit të gazrave të dëmshëm nga makinat me naftë.

Lajmi konfirmohet nga një zëdhënës i Volkswagenit, kompania që zotëron edhe aksionet e Audit.

Prokurorët bavarezë nga Mynihu thonë se kërkuan arrestimin e tij, për shkak të rrezikut që paraqet Stadler për prishjen e provave.

Skandali shpërtheu 3 vite më parë, kur u mësua për herë të parë se automjetet ishin pajisur me pajisje të posaçme për t’ia hedhur testeve të emetimit të gazrave të dëmshëm.

Pajisjet u zbuluan fillimisht në makinat e Volkswagenit, por edhe filiali i kësaj kompanie, Audi, u përfshi më tej në skandal.

Muajin e kaluar, Audi pranoi se 60 mijë automjete të tjera të modeleve A6 dhe A7 me motor nafte kishin probleme të ngjashme me emetimin. Kjo sasi i shtohet asaj prej 850 mijë makinash që u tërhoqën nga tregu prej Audit vitin e kaluar, prej të cilave disa duhet t’iu nënshtrohen medoemos modifikimeve.

Prokurorët e Mynihut thanë se Stadler duhej të merrej në pyetje të mërkurën, pasi të komunikonte me avokatët e tij. Skandali i ashtuquajtur “dieselgate” u zbulua fillimisht në shtator të vitit 2015.

Volkswageni pranoi se rreth 600 mijë automjete ishin shitur në SHBA me pajisjen kompromentuese. Prodhuesi i makinave deklaroi më pas se këtë pajisje e kishte instaluar në rreth 11 milionë makina me naftë anembanë botës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme