Facebook-u dhe gjuha e urrejtjes

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 12:23 | Nga

Problemi i rregullave të Facebook-ut ndaj gjuhës së urrejtjes lidhet edhe me faktin se në vende të ndryshme ekzistojnë rregulla dhe ligje të ndryshme.

Një shenjë e gjelbër ose kryq i kuq shënon dallimin. E gjelbra do të thotë ende e tolerueshme. E kuqja: fshije!! Disa shembuj? Thirrjen për të rrahur fëmijët e shëndoshë (“Let’s beat up fat kids”) Facebook-u e toleron. Kurse në qoftë se dikush do të vrasë presidentin e SHBA-së (“Someone shoot Trump”) apo sulme me thikë ndaj hebrenjve (“#stab and become the fear of the zionist”) nuk i toleron dhe i pajis me një kryq të kuq, pra postime që duhet të fshihen.

Autoritetet e BE-së apo ato agjermane e kanë të vështirë të marrin informacione të sakta se si vepron rrjeti social Facebook në lidhje me urrejtjen dhe dhunën. Gazeta britanike “Guardian” botoi këtë javë rregullat e brendshme të Facebook-ut në lidhje me seksin, terrorizmin dhe dhunën. Nga ato merret vesh se si mundohet FB të përballojë ankesat nga e gjithë bota për postime me përmbajtje të papërshtatshme.

“Përmirësime të vazhdueshme”

“Facebook-u nuk e kontrollon më dot përmbajtjen”, citon “Guardian” një informator të brendshëm, sepse “është rritur shumë shpejt.” Markus Reuter i organizatës gjermane netzpolitik.org e vëzhgon prej vitesh FB dhe tha për Deutschen Welle-n se “Facebook-u përpiqet për përmirësime të vazhdueshme. Por shpesh reagimi për ta shuar ose jo një postim lidhem edhe me mediumin, pra është një fotografi, video apo tekst i shkruar. Në rregulloren e brendshme të Facebook-ut vetëm shkruhet: “Ne nuk do t’u lejojmë përdoruesve të shpërndajnë fotografi apo video ku shihen njerëz ose kafshë që vdesin ose janë të plagosur, në qoftë se me to shprehet sadizëm.”

Problemi i rregullave të Facebook-ut lidhet dhe me faktin se në vende të ndryshme ekzistojnë rregulla dhe ligje të ndryshme, p.sh. fyerja e një figure të lartë shtetërore në Gjermani nuk është e njëjta me një veprim të njëjtë në Tajlandë, thotë Markus Reuter.

Sipas njoftimeve të shtypit Facebook-u ka sot në botë rreth 4,500 të ashtuquajtura moderatorë që kujdeset për përmbajtjen në faqet e Facebook-ut. Por ata janë të keqpaguar dhe nuk kanë mbështetje psikologjike

Eksperti Reuter tha për DW se “ajo që dëshirojmë nga Facebook-u është më tepër transparencë”. Për shembull çdo katër muaj një raport se ç’postime dhe dhe sa të tilla janë fshirë. Kjo do të ndihmonte më shumë për të përcaktuar se ku mund të flitet ende për liri të shprehjes dhe ku jo.

Por kjo është edhe një çështje kostosh, shton Reuter. Sepse moderatorët e Facebook-ut kanë vetëm shtatë deri në dymbëdhjetë sekonda kohë për të vendosur: ta fshij apo jo një postim? Dhe edhe përdoruesit më brutalë të gjuhës së urrejtjes harxhojnë ndoshta më tepër kohë për postimet e tyre.(DW)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme